Kuvendari i Lëvizjes për Bashkim, Ajet Berisha, ka thënë se, siç figuron në këtë plan, 22 punëtorë të “Pastrimit” punojnë në mbledhjen e bartjen e mbeturinave dhe 20 në administratë. Shefi i Grupit të kuvendarëve të LVV-së, Sami Ahmeti, i ka ngritur edhe disa çështje sa i përket Planit për Menaxhimin e Mbeturinave Komunale në Obiliq. E zyrtarët komunalë thanë se Plani i ka kaluar të gjitha procedurat dhe se ka kaluar koha për ankesa
Njësia e kompanisë regjionale “Pastrimi” në Obiliq ka numër gati të njëjtë të punëtorëve si në terren ashtu edhe në administratë. Kjo është bërë e ditur gjatë seancës së fundit të Kuvendit Komunal të Obiliqit kur po diskutohej për Planin për Menaxhimin e Mbeturinave Komunale 2023-2028.
Kuvendari i Lëvizjes për Bashkim, Ajet Berisha, ka thënë se, siç figuron në këtë plan, 22 punëtorë të “Pastrimit” punojnë në mbledhjen e bartjen e mbeturinave dhe 20 në administratë.
“Direkt (të punësuar) janë që kanë ndikim në mbledhjen, grumbullimin, transportin, janë 22 punëtorë në kuadër të kësaj kompanie në Obiliq. Kurse indirekt, që nënkupton administratë dhe udhëheqje, janë 20 punëtorë. Është gati krejt e pakuptimtë 22 punëtorë me u marrë me punën direkte që janë të thirrur e 20 punëtorë me u marrë me letra. Sinqerisht, është e ngarkuar kompania me administratë dhe për këtë arsye pastaj edhe performanca çalon”, ka theksuar Ajet Berisha.
Sipas tij, për këtë periudhë sa do të jetë në fuqi ky plan nuk rekomandohet për rritjen e punëtorëve të terrenit.
“Unë e pashë edhe planin e të hyrave dhe daljeve, të realizimit, do të thotë diku 305 mijë i ka planifikim të hyra, e shpenzimet për paga dhe material tjetër administrativ i ka diku 286 mijë. Çka do të thotë se kjo kompani funksionon veç sa me i siguru pagat dhe materialin administrativ. Absolutisht nuk ka asnjë kapacitet për me planifiku edhe investime nga mjetet dhe nga të hyrat që merr. Qytetari ka interes që me u realizu ky plan, por duhet edhe një performancë më e mirë”, ka thënë ai.
KOHA ka dërguar pyetje në adresë të kompanisë regjionale “Pastrimi” rreth numrit të të punësuarve, por nuk ka marrë përgjigje.
Ndërkohë shefi i Grupit të kuvendarëve të LVV-së, Sami Ahmeti, i ka ngritur edhe disa çështje sa i përket Planit për Menaxhimin e Mbeturinave Komunale në Obiliq.
“Çka e ndryshon ky plan gjendjen e qytetarëve për dallim prej Rregullores për Mbeturina të cilën tashmë e kemi miratuar? Cila do të jetë ngarkesa tarifore shtesë për qytetarët përveç asaj të mbeturinave që tashmë i paguajnë? A do të ndikojë ky plan në përmirësimin e mjedisit dhe ndalimin e ndërtimit të ndotësve tjerë siç janë betonierët, bazat e asfaltit, etj.? A parashihet riciklimi i mbeturinave me këtë plan? Edhe në Rregullore pjesërisht parashihet shpërndarja e komposterëve për ekonomitë familjare dhe bizneset, që u shërbejnë qytetarëve?”, ka pyetur Ahmeti.
E zyrtari mjedisor në Drejtorinë e Ambientit, Fazli Përvetica, që është edhe anëtar i Komisionit që hartoi këtë plan, ka thënë se ky dokument është hartuar në bashkëpunim me Asociacionin e Komunave dhe përfaqësuesit e GIZ-it.
“Ky draftplan deri sot i ka kaluar të gjitha procedurat. Ka kaluar dëgjimin publik, ka kaluar koha për komente, nuk kemi pasur ankesa. Me këtë plan trajtohen mbeturinat, është në përputhje me Rregulloren”, ka thënë Përvetica.
E opozitarët e kanë vlerësuar Planin, por kanë kërkuar që edhe të zbatohet.
Ky dokument është miratuar me shumicë votash.