Komunarët e Podujevës kanë ndërmarrë një aksion për pastrimin e hapësirave përreth liqenit të Batllavës. Ky aksion, sipas kryetarit Shpejtim Bulliqi, do të vazhdojë edhe më 26 maj.
“Sot gjatë ditës është zhvilluar aksion për pastrimin e hapësirave rreth Liqenit të Batllavës. Këtij aksioni i është bashkuar edhe Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi bashkë me disa anëtarë të ekzekutivit komunal. Në këtë aksion kanë marrë pjesë nxënës të shkollave të mesme, mësimdhënës në nivel komune, shoqata e peshkatarëve dhe përfaqësues nga shoqëria civile. Ndërsa, pasdite këtij aksioni i është bashkuar edhe Kompania Regjionale ‘Pastrimi’, thuhet në njoftimin e Zyrës për marrëdhënie me publikun dhe informim të Komunës së Podujevës.
Kryetari Bulliqi ka apeluar te të gjithë qytetarët që i vizitojnë dhe i shfrytëzojnë për pushim dhe rekreacion hapësirat e liqenit të Batllavës të përkujdesen për këto hapësira duke e ruajtur ambientin nga ndotja.
“Ky aksion do të vazhdojë edhe më 26 maj, ku me numër shumë më të madh të të gjitha institucioneve, nxënësve e qytetarëve do të kujdesemi që e gjithë hapësira përreth liqenit të pastrohet”, ka thënë Bulliqi.