Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

PDK-ja ia kërkon sërish Osmanit anëtarin e dytë në KQZ

Bedri Hamza

Bedri Hamza

Foto: Driton Paçarada

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, i ka dërguar një letër presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke kërkuar që të procedohet pa vonesë me emërimin e anëtarit të dytë të PDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Një thirrje të tillë PDK-ka e ka bërë edhe të hënën pas vendimit të Kushtetueses.

Në këtë letër, Hamza thekson se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ka sqaruar çdo paqartësi lidhur me këtë çështje, duke konfirmuar se përfaqësimi i PDK-së me dy anëtarë në KQZ është një e drejtë kushtetuese dhe jo çështje interpretimi politik.

“Mosveprimi në këtë fazë, në rrethanat kur çështja është sqaruar përfundimisht nga Gjykata Kushtetuese, do të përbënte shkelje të rendit kushtetues dhe një precedent të rrezikshëm për funksionimin demokratik të institucioneve. Për më tepër, kërkojmë që të respektohet edhe praktika e deritanishme institucionale, sipas së cilës, PDK ka pasur përfaqësim me dy anëtarë në KQZ”, thuhet në letrën e Hamzës dërguar Osmanit

Tutje thuhet se sipas Kushtetutës, gjashtë anëtarë të KQZ-së emërohen nga grupet më të mëdha parlamentare të përfaqësuara në Kuvend. Theksohet se çdo interpretim tjetër që do t’i jepte Lëvizjes Vetëvendosje tre anëtarë, do të ishte kundërkushtetuese.

“Në situatën aktuale, Kuvendi i Kosovës ka katër grupe parlamentare. Kjo nënkupton se në raundin e parë të shpërndarjes së anëtarëve, secili grup përfiton nga një anëtar. Dy vendet e mbetura ndahen në raundin e dytë, sipas madhësisë së grupeve parlamentare: një për grupin më të madh dhe një për grupin e dytë më të madh. Në këtë rast, kjo nënkupton përkatësisht Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës.  Çdo interpretim tjetër, që do t’i jepte LVV-së tre anëtarë, do të krijonte një situatë kur tri grupe parlamentare kanë nga një përfaqësues, ndërsa njëra parti dominon me tre. Kjo do të ishte në kundërshtim me germën dhe frymën e Kushtetutës sa i përket KQZ-së”, thuhet tutje në letër.

Sipas Hamzës, Osmani duhet të veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke garantuar respektimin e të drejtave të subjekteve politike dhe integritetin e KQZ-së.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës të hënën e ka shpallur të papranueshme kërkesën e presidentes Vjosa Osmani për sqarimin lidhur me çështjen e emërimit të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Osmani kishte kërkuar vlerësimin e “konfliktit në mes të kompetencave kushtetuese sipas nenit 113 (3) (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, përkatësisht në mes të parashtrueses së kërkesës dhe “grupeve parlamentare si trupa të Kuvendit të Republikës së Kosovës” në ndërlidhje me emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.