Pa tërheqjen e kandidatëve për president nga Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike nuk sheh hapësirë për dialog me kryeministrin Albin Kurti. Ndërkaq, nga partia në pushtet thonë se nuk ka arsye për të hequr dorë nga emrat aktualë, në mungesë të alternativave të tjera
Nuk ka kuptim të zhvillohen takime mes Bedri Hamzës dhe Albin Kurtit për zgjedhjen e presidentit përderisa nuk tërhiqen kandidaturat e Glauk Konjufcës dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçakut, ka thënë të mërkurën deputeti i Partisë Demokratike, Mërgim Lushtaku.
Ai ka bërë të ditur se, në rast të një ftese nga Kurti, Këshilli Drejtues i PDK-së do të vendosë nëse Hamza do t’i përgjigjet, por, sipas tij, parimisht kandidaturat duhet të tërhiqen.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Nuk kemi asnjë arsye për t’u takuar me zotëri Kurtin derisa nuk kemi tërheqje të kandidaturës, sepse ne e dimë shumë mirë që edhe nëse vendosim që krejt opozita të kemi një kandidat, fitues në raundin e tretë janë ata që kanë vota më shumë e që domosdoshmërisht është në këtë rast Vetëvendosje”, ka thënë Lushtaku.
Ndryshe ka vlerësuar shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, sipas së cilës nuk ka kuptim të tërhiqen emrat aktualë pa pasur alternativa konkrete.
“Aktualisht, kur po flasim, ne nuk kemi propozime të tjera. Pra nuk është e drejtë që hipotetikisht t’i kërkohet Lëvizjes Vetëvendosje që të bëjë tërheqje të emrave ndërkohë që nuk kemi asnjë propozim tjetër. Ne presim, edhe shpresojmë, që dy partitë e tjera opozitare PDK-ja, LDK-ja, por gjithsesi edhe deputetët e tjerë të reflektojnë, të diskutojnë, të paraqesin se cilat janë qëndrimet e tyre dhe të negociojnë bazuar në kërkesat që mund të kenë”, ka thënë Nagavci.
Për t’u konsideruar zyrtarisht kandidatë për president duhet mbledhur 30 nënshkrime të deputetëve.
Më 5 mars, në seancën për zgjedhjen e presidentit, u prezantuan dy kandidatë me nënshkrimet e nevojshme: Konjufca dhe Mulhaxha-Kollçaku.
Me nënshkrimet e mbetura mund të propozohen edhe dy kandidatë të tjerë, por asnjë nga partitë opozitare nuk i ka 30 deputetët e nevojshëm për ta bërë këtë e vetme.
Të enjten, Kuvendi do të mbajë seancë plenare, ndërsa sipas Nagavcit pritet të ketë edhe përpjekje për të gjetur zgjidhje për çështjen e presidentit.
“Nesër e kemi ftuar një seancë të Kuvendit të Republikës së Kosovës ku do të trajtohen disa marrëveshje ndërkombëtare dhe do të shqyrtohen dhe besoj që do të merren edhe disa vendime të tjera të rëndësishme dhe paralelisht me këtë unë besoj që kryeministri Kurti do të vazhdojë diskutimet me krerët e dy partive të tjera në mënyrë që sa më shpjet të zgjidhet edhe ngërçi në lidhje me pozitën e presidentit, sepse vendi nuk ka nevojë edhe për një palë zgjedhje të reja”, ka thënë Nagavci.
Kuvendi ka afat deri më 28 prill për ta zgjedhur presidentin e ri. Në të kundërtën, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, vendi shkon në zgjedhje, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditëve.