Arbëri

Pensionistët më s’kanë nevojë të dëshmojnë se janë gjallë

Pensionist

Foto: Ilustrim

Pensionistët nuk janë të obliguar të paraqiten çdo gjashtë muaj në autoritetet shtetërore për të dëshmuar se janë gjallë, në mënyrë që t’u vazhdohet pensioni, ka vendosur Gjykata Supreme.
Siç ka njoftuar kjo gjykatë, janë shpallur të paligjshme nenet dhe paragrafët që obligonin pensionistët të paraqiteshin çdo gjashtë muaj për të dëshmuar se janë gjallë dhe masat sanksionuese nëse kjo nuk bëhej. 

Vendimi është marrë pas padisë së E.Sh..

Në vendim theksohet se Ministria është e obliguar që të monitorojë nëse pensionisti është gjallë. Pra autoritetet janë përgjegjëse të parë e jo qytetari. Si rrjedhojë e vendimit, pensionistët nuk mund të penalizohen nëse nuk paraqiten.

“Pas shqyrtimit të rastit, Gjykata Supreme konstatoi se paragrafët ku parashihen pasoja për pensionistët, siç është ndalimi i pensionit, nuk janë në harmoni me ligjin dhe si të tillë janë të paligjshëm. Nëse pensionisti nuk lajmërohet siç është përcaktuar, Ministria obligohet që të monitorojë burimet ekzistuese të informatave me qëllim të identifikimit të pensionistëve që kanë vdekur. Pra, përgjegjësia e parë për verifikimin e statusit të jetës së pensionistit është e vetë organit publik dhe jo e qytetarit. Kjo dispozitë krijon detyrimin që Ministria të shfrytëzojë çdo mekanizëm administrativ dhe çdo burim zyrtar të informatave përpara se të ndërmarrë masa kufizuese ndaj pensionistit. Ligji ka paraparë një mekanizëm që mbështetet në verifikim aktiv nga ana e Ministrisë dhe jo në barrë disproporcionale ndaj pensionistit”, thuhet në njoftim të Supremes të mërkurën.

Me këtë vendim, Gjykata Supreme i ka shpallur të paligjshme dhe ka shfuqizuar paragrafin 2 të nenit 4. Çka thotë ky paragraf:

"Shfrytëzuesit e pensionit janë të obliguar që të lajmërohen personalisht çdo 6 muaj përkatësisht 180 ditë, në zyrat me të afërta të Departamentit të Pensioneve."

Po ashtu janë suspenduar paragrafët 1, 2, 3 dhe 4, të këtij udhëzimi. Çka thonë këto paragrafë:

"1. Nëse pensionisti nuk lajmërohet siç është përcaktuar në nenin 4 paragrafin 2 të këtij udhëzimi, suspendohet përkohësisht nga pagesa e mëtejme e pensionit.

2. Pensionisti që është suspenduar sipas paragrafit 1 të këtij neni, i vazhdohet pagesa e pensionit, nëse pensionisti lajmërohet në zyrën përkatëse pensionale, brenda tre (3) muajsh nga data e suspendimit.

3. Në rast se pensionisti, lajmërohet brenda tre (3) muajve nga data e suspendimit, duke llogaritur muajin e lajmërimit, Departamenti i Pensioneve, përkatësisht zyra e pensioneve, është e detyruar të ia paguaj pensionet e papaguara maksimalisht për tre (3) muaj.

4. Në rast se pensionisti, nuk lajmërohet në afat prej tre (3) muajsh apo nëntëdhjetë (90) ditë, nga data e suspendimit, kërkesa e tij konsiderohet si riaplikim ndërsa pagesa do të rrjedhë nga dita (muaji) e paraqitjes së kërkesës."

Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi e ka cilësuar këtë vendim si jashtëzakonisht të rëndësishëm.

“Gjykata ka konfirmuar se të drejtat e pensionistëve nuk mund të kufizohen me rregulla nënligjore dhe se barra e verifikimit nuk mund t’u ngarkohet qytetarëve. Përgjegjësia është e institucioneve dhe jo e pensionistëve. Çfarë hapi i madh për mbrojtjen e të drejtave sociale, sigurinë juridike dhe parimin se suspendimi i pensionit duhet të jetë masa e fundit, jo e para”, ka shkruar ai në Facebook.

Pensioni i moshës në Kosovë është 150 euro, ndërkaq pensioni kontributpagues, sillet nga 218 deri në 318 euro në muaj, varësisht nivelit të arsimimit.