Arbëri

Për pesë vjet mbi 21 mijë nxënës më pak në shkolla

Gjatë pesë vjetëve të fundit, më se 21 mijë nxënës më pak janë evidentuar nëpër shkolla të Kosovës. Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave, në vitin shkollor 2020-2021 të regjistruar kanë qenë 229 mijë e 664 nxënës, e në atë 2024/2025, 208 mijë e 515. Për këtë trend, demografë e ekspertë të arsimit numërojnë, krahas rënies së natalitetit dhe migrimit, edhe shkaktarë të tjerë

Për çdo vit, në banka shkollore shënohen përherë e më pak nxënës.

Nëntë vjet më parë, kur në klasë të parë u patën regjistruar 27 mijë e 272 nxënës, nga kjo gjeneratë, sivjet semimaturantë llogaritet se do të dalin 22 mijë e 682 syresh.

Gjenerata, e cila në periudhën e viteve 2020-2021 e ka nisur klasën e parë me 25 mijë e 878 nxënës, tani, që është në klasë të pestë, numëron 23 mijë e 317 syresh.

Bazuar në të dhënat më të fundit të Agjencisë së Statistikave (ASK), nga viti shkollor 2020–2021 e deri në atë 2024–2025, nëpër shkolla janë evidentuar rreth 21 mijë nxënës më pak.

Për këtë ulje të numrit të nxënësve, demografi Besim Gollopeni, krahas rënies së natalitetit dhe migrimit, i ka numëruar edhe disa shkaktarë të tjerë.

“Deri te reduktimi i numrit të nxënësve në këto shkolla ka ardhur edhe si rrjedhojë jo  vetë e natalitetit si faktor kryesor dhe migrimeve të përgjithshme, mirëpo edhe për shkak të heqjes dorë nga martesa e parë, hyrjes së vonshme në martës, heqjes dorë nga lindjet. Tani ka një lindje ose dy lindje për një qift por jo më shumë. Kjo bën që numri i vogël i nxënësve të jetë evident edhe për vitet e ardhshme”, ka theksuar Gollopeni.

Ai ka thënë se trendi i rënies së numrit të nxënësve nëpër shkolla mbart më vete edhe pasoja.

“E para, do të kemi mbyllje të shollave që është doemos evidente edhe sot, edhe në të ardhmen. Do të kemi humbje të vendeve të punës sidomos për stafin e të punësuarve në ato shkolla. Do të kemi një ndryshim të shtrirjes dhe organizimit hapësinor të popullsisë sepse në momentin që nuk ofrohet arsimim për nxënësit dhe fëmijët në ato shkolla, sa do të vogël të jenë, natyrisht që familjet do të kërkojnë zgjidhje të tjera drejt zonave urbane apo dhe të tjera”, ka theksuar ai.

Me qëndrimin e Gollopenit është pajtuar edhe njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja. Por ai e ka kualifikuar shqetësuese mungesën e përshtatjes së politikave institucionale me trendin aktual të numrave të nxënësve.

“Ajo çka kërkon politikë të qëndrueshme dhe të përshtatshme karshi këtij numri demografik është e lidhur me investimet kapitale. Pra, nuk ka më kuptim që hapja e shkollave të reja të çfarëdo zone pa një fizibilitet të mirëfilltë karshi intensitetit të popullsisë në ato rajone veçanërisht, kjo është super e theksuar në zona rurale. Rëndësi ka edhe shpërndarja e orëve të mësimdhënësve, pra, unë rikujtoj që kemi mbi 1000 mësimdhënës që aktualisht kanë fond të pa kompletuar të orëve”, ka theksuar Qehaja.

Bazuar në të dhënat e ASK-së, në vitin shkollor 2020-2021 të regjistruar kanë qenë gjithsej 229 mijë e 664 nxënës, teksa në atë 2024-2025, 208 mijë e 515 – apo 21 mijë e 149 më pak.

Rënia e numrit të nxënësve të regjistruar në shkolla u pat evidentuar edhe para kësaj periudhe. Brenda viteve 2008-2020, numri është tkurrur për 26 për qind, apo për 114,323 nxënës.