Arbëri

Nis numërimi në QKN-të në Prishtinë, Podujevë e Kllokot

Numerimi ne Prishtine

Foto: Driton Paçarada

Ka filluar numërimi i votave në Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë. 

Procesi i numërimit në këtë qendër nuk kishte nisur me kohë për shkak të problemeve me rrjetin e internetit, që kishte penguar transmetimin e pamjeve për vëzhguesit në ekranet televizive. 

Po ashtu nuk kishte nisur as në Podujevë e Kllokot. 


“Së fundmi, në orën 16:00 të ditës së martë, ka filluar puna edhe në tri Qendrat Komunale të Numërimit: Prishtinë, Podujevë dhe Kllokot.  Në përgjithësi, në Qendrat Komunale të Numërimit zhvillohen 3 aktivitete të rëndësishme, njëkohësisht: verifikimi i rezultateve nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe rezultatet e subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale dhe numërimi i votave të kandidatëve për anëtarë të Kuvende Komunale.  Sipas informacioneve nga Qendrat Komunale të Numërimit, deri në orën 16:00 të ditës së martë, janë verifikuar rezultatet për 550 vendvotime nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe rezultatet për subjektet politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale nga 334 vendvotime.  Nga po kaq vendvotime, 334, janë numëruar votat e kandidatëve nga zgjedhjet për Kuvendet Komunale”, ka njoftuar zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

 


 


Për shkak të problemeve me internet, nuk nis numërimi në Prishtinë, Podujevë dhe Kllokot

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar për procesin e numërimit të votave për asamblistë në disa komuna të Kosovës.

Bëhet e ditur se në QKN-të e Prishtinës, Podujevës dhe Kllokotit, procesi i numërimit nuk ka nisur ende për shkak të problemeve me rrjetin e internetit, i cili po pengon transmetimin e pamjeve për vëzhguesit në ekranet televizive.

“Ekipet teknike të KQZ-së janë në terren dhe po punojnë për zgjidhjen e shpejtë të problemit”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Sipas njoftimit procesi i numërimit të votave është duke vazhduar në Qendrat Komunale të Numërimit në  Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Leposaviq, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prizren (me 6 grupe numërimi), Skenderaj, Shtime, Shtërpcë, Suharekë, Ferizaj, Viti, Vushtrri, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Mamushë, Graçanicë, Ranillug, Partesh dhe Mitrovicë e Veriut.

Bëhet e ditur se në QKN e Hanit të Elezit, numërimi dhe verifikimi u përmbyll të hënën në mbrëmje.

Deri tani nga 250 vendvotime, përkatësisht 500 kuti votimi nga të dyja llojet e zgjedhjeve, janë: verifikuar rezultatet për kryetarë të komunave, verifikuar rezultatet e subjekteve politike për kuvendet komunale, numëruar votat për anëtarë të kuvendeve komunale.