Arbëri

Përgatitje për takim të nivelit të lartë, Sorensen flet për takimin “e gjatë” me kryenegociatorët

sorensen - bislimi - petkoviq

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen, e ka quajtur “të gjatë” takimin me kryenegociatorët e Kosovës dhe atë të Serbisë.

Ai ka thënë se u fol për avancimin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve, teksa përmendi përgatitjet për një takim të nivelit të lartë.

“Folëm rreth avancimit të normalizimit të marrëdhënieve të tyre në përgatitje të një takimi të nivelit të lartë në dialog, zbatimin e obligimeve të pazbatuara dhe çështje aktuale. U pajtuam që diskutimi të vazhdojë së shpejti”, ka shkruar Sorensen në X.

Një takim mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë u mbajt në Bruksel nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian. Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se në takim me Sorensenin në Bruksel ia ka shpalosur qasjen që Kosova do ta ketë në fazat e ardhshme të bisedimeve që do të zhvillohen në nivel të kryenegociatorëve apo edhe në takimet e larta që do të udhëhiqen nga shefja për Politikë dhe Siguri e BE-së, Kaja Kallas. Ndërkohë Petar Petkoviq, pas takimit me Sorensenin ka thënë se Asociacioni është tema kyçe.