Shtatë komuna kanë finalizuar raportet për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet e fillimvitit. Bazuar në to, dëmet janë rreth 8 milionë euro. Asociacioni i Komunave të Kosovës i ka bërë thirrje Qeverisë të reagojë shpejt, me qëllim alokimin e mjeteve për kompensim të familjeve dhe bizneseve të prekura
Sipas vlerësimeve të komunave, dëmet nga vërshimet e fillimvitit janë rreth 8 milionë euro.
Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka bërë të ditur se komuna me më shumë dëme është Gjakova.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Komunat më të prekura, sipas vlerës së dëmeve, janë: Gjakova – 2.7 milionë euro, Drenasi – mbi 1.5 milionë euro, Peja, Rahoveci dhe Mitrovica – nga 800 mijë euro secila, Klina – mbi 650 mijë euro, Malisheva – 540 mijë euro”, ka thënë Ibrahimi.
Sipas Ibrahimit, për një numër komunash vlerësimi i dëmeve ende nuk ka përfunduar.
Ai ka theksuar se komunat nuk mund ta bëjnë kompensimin me buxhetet vetjake, por ka apeluar te qeveria që të reagojë menjëherë.
“Në këtë situatë, i bëjmë thirrje nivelit qendror për: reagim urgjent dhe të koordinuar institucional; alokim të menjëhershëm të mjeteve financiare; aktivizim të fondeve emergjente dhe mekanizmave shtetërorë; mbështetje konkrete për sanimin e dëmeve dhe rikthimin e normalitetit për qytetarët dhe bizneset”, ka thënë ai.
Kompensimi i dëmeve nuk është finalizuar ende as për komunat e prekura nga vërshimet e viteve 2023 dhe 2024.
Përmbytjet në Kosovë përsëriten pothuajse çdo vit, ndërsa shumë projekte për rregullimin e lumenjve dhe për ndërtimin e digave kanë mbetur të parealizuara, pavarësisht se parashihen në buxhete.
Ekspertët kanë vlerësuar se problemi nuk lidhet vetëm me reshjet, por me keqmenaxhimin e lumenjve, ndërhyrjet e pakontrolluara dhe mungesën e masave parandaluese afatgjate.
2023-shi ka qenë ndër vitet kur Kosova është goditur më së shumti nga vërshimet. Ndër komunat e prekura kanë qenë Skenderaj, Istogu, Klina dhe Mitrovica e Jugut.
Sipas raportit “Mjedisi i Evropës 2025”, i publikuar nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit e Kosovës, përmbytjet e vitit 2023 kanë shkaktuar dëme prej 3.75 milionë eurosh vetëm në familje. Megjithëkëtë, sipas të dhënave të komunave në atë kohë, vlera e përgjithshme e dëmeve është përllogaritur të jetë rreth 26 milionë euro.
Elda Islami