Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Përplasje në Senatin e UP-së për “revistën grabitqare”

Senati i UP-se

Mes shumë debatesh, me shumicë votash Senati i Universitetit të Prishtinës ka vendosur të mos e avancojë Fatlume Berishën nga pozita e profesorit të asocuar në profesor të rregullt. Sipas vlerësimit të Senatit, Berisha nuk i ka përmbushur kriteret e përcaktuara për avancimin akademik pasi njëri nga punimet shkencore të saj figuron në listat e revistave potencialisht të dyshimta

Me shumicë votash Senati i Universitetit të Prishtinës (UP) ka vendosur të mos e avancojë Fatlume Berishën nga pozita e profesorit te asocuar në profesor të rregullt.

Sipas vlerësimit të Senatit në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, Berisha nuk i ka përmbushur kriteret e përcaktuara për avancimin akademik.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Rektori i UP-së, Arben Hajrullahu, është shprehur se nuk mund të avancohet pasi njëri nga punimet shkencore të profesoreshës figuron në listat e revistave potencialisht të dyshimta.

“Vlerësimi nga Këshilli i Fakultetit dhe vlerësimi nga trupat këshillëdhënës janë diametralisht të kundërta, andaj ka qenë edhe pyetja, dhe thelbin e pyetjes në debatin e tejzgjatur për këtë çështje duhet ta reduktojmë në një pyetje të vetme: a është revista në fjalë në listën e revistave grabitqare apo nuk është? Kjo është pyetja, kjo është thelbi. Po, është në listën e revistave grabitqare, nuk mund t’i propozohet senatit avancimi. Me shumë dëshirë do të doja ta bëja që t’i propozohej avancimi”, ka thënë ai.

Por, kryesuesja e Këshillit Vlerësues të Fakultetit të Edukimit, Eda Vula, ka kundërshtuar rektorin duke thënë se punimi i saj shkencor ka qenë i publikuar në platformat Web of Science dhe Scopus, të cilat me statutin e UP-së njihen si komponent vendimtar për vlerësim të kualifikimeve.

“Unë kam prezantuar në këtë senat gjetjet që e kundërshtojnë klasifikimin e trupës së këshillëdhënësve të revistës si revistë me shumë kompetencë. Kemi dy revista EUJER dhe EUJ-ER dhe për këto unë kam bërë hulumtime edhe përtej përgjegjësisë sime, prandaj jam shumë e bindur që sot jemi në një situatë ku ne duhet të vlerësojmë një revistë në vitin 2016 e bëhet fjalë për një punim që është publikuar në vitin 2022 dhe për një revistë që është e indeksuar në Scoups prej vitit 2018 dhe vazhdon të jetë në 2026-n dhe kjo është shumë absurde”, ka thënë ajo.

Për këtë pati përplasje verbale mes rektorit Hajrullahu dhe senatores Vula.

“Pse është anashkaluar neni 152 sipas të cilit komponenti vendimtar për vlerësimin e kualifikimeve përkatëse janë publikimet e kandidatit/es në platformat Web of Science dhe Scopus dhe tash unë po bëj pyetje: Pse na nuk mundemi me i besu një mekanizmi ndërkombëtar, platformës Scopus kur ka një bord vlerësues dhe është i pranuar ndërkombëtarësh”, ka pyetur Vula.

“Ne i kemi në rregullore platformat e quajtura Scopus dhe Web of Science e të cilat jo domosdoshmërish flasin për cilësi. Jemi në sistemin e quajtur tikologji për me i bo tikat. Rasti në fjalë nuk e plotëson një tik, nuk e plotëson një kriter dhe nuk mund të trajtohet ndryshe. Nuk mund t’i besojmë ne Scoopusit, por duhet t’u besojmë mekanizmave të këtij universiteti i cili i ka rregullore, i ka trupat shqyrtues”, është përgjigjur rektori Hajrullahu.

Edhe dy komisionet paraprake kanë dhënë vendime të ndryshme për avancimin e Berisha-Sejdiut.

Komisioni i Fakultetit të Edukimit e ka mbështetur avancimin e saj. Kurse, Trupa Këshillëdhënëse e Rektorit i rekomandoi Senatit të UP-së më 28 janar që ajo të rizgjidhet profesoreshë e asocuar, pra të mos avancohet.

KOHA ka pyetur profesoreshën Berisha, por gjatë ditës nuk ka marrë përgjigje.