Arbëri

Përveç FSK-së, në Shqipëri Kosova dërgoi edhe policë – të gatshëm edhe zjarrfikësit

Ky është momenti kur pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, bashkë me ekipet e shpëtimit, po përpiqen ta nxjerrin nga rrënojat një person, pas tërmetit vdekjeprurës në Shqipëri.

Ushtari i Kosovës është në mesin e dhjetëra pjesëtarëve të FSK-së që janë dërguar në Shqipëri, për të ndihmuar në gjetjen e personave që kanë mbetur nën objektet e rrënuara, raporton KTV.

FSK-ja është e gatshme që të dërgojë edhe ekipe shtesë, nëse shteti shqiptar ka nevojë për to.

Pas njësive të Policisë dhe FSK-së, në gjendje gatishmërie për t’u dërguar në Shqipëri, nëse është e nevojshme, janë edhe dy ekipe të zjarrfikësve.

Pjesë e këtyre dy ekipeve janë edhe zjarrfikës që kanë kryer trajnime ndërkombëtare për kërkim-shpëtim, në raste të fatkeqësive të tilla natyrore.

Në rast se edhe Kosova goditet nga ndonjë termet i ngjashëm, ministri i Mbrojtjes së Kosovës ka thënë se, në bashkëpunim me shtetet fqinje, kanë kapacitete të menaxhojnë situata të tilla.

FSK-ja është e gatshme që të dërgojë në Shqipëri edhe ekipe shtesë nëse shteti shqiptar ka nevojë për to.