Arbëri

Podujeva nis procedurat për ndërtimin e parkingut nëntokësor

Zyrtarët komunalë të Podujevës i kanë nisur procedurat për ndërtimin e parkingut nëntokësor në qytet. Sipas njoftimit të kërkesës për kualifikim, parkingu synohet të ndërtohet nëpërmjet partneritetit publiko-privat (PPP).

Sipas zyrtarëve komunalë, projekti parashihet të ketë rreth 10 mijë m² parking, po ashtu e ka të inkuadruar edhe hapësirën ku janë destinuar rreth 1000 m² për afarizëm.

Siç thuhet në njoftimin e kërkesës për kualifikim, Komuna e Podujevës kërkon nga parashtruesit e deklaratave për kualifikim me qëllim të përzgjedhjes së operatorëve ekonomikë dhe konsorciumeve të operatorëve ekonomikë që posedojnë kapacitetet e duhura ligjore, teknike dhe financiare për të marrë pjesë në procedurën konkurruese të tenderit për projektimin, ndërtimin, financimin, operimin dhe bartjen e parkingut nëntokësor duke përfshirë, por pa qenë e domosdoshme edhe objekte afariste (objekti) në lokacionin te Komuna e re në Podujevë përmes partneritetit publiko-privat (PPP).

Kohëzgjatja e kontratës parashihet të jetë 30 vjet.

“Nga ofertuesi i përzgjedhur do të kërkohet të themelojë një subjekt të pavarur juridik të inkorporuar sipas ligjeve të Kosovës para formalizimit të kontratës së koncesionit. Subjekti juridik në fjalë do të ketë si qëllim të vetëm përmbushjen e obligimeve të paraqitura në kontratë e koncesionit”, thuhet tutje në njoftimin e kërkesë për kualifikim.