Prindërit e Agonis Tetajt, 29-vjeçari që u qëllua për vdekje më 2018-n, janë shprehur të zhgënjyer me vendimin që mori të premten Gjykata Themelore e Pejës për ta dënuar dorasin me shtatë vjet e gjashtë muaj burgim. Ata nuk i besojnë drejtësisë që vendosi kjo gjykatë, prandaj thanë se rastin do ta procedojnë në Gjykatë të Apelit
Në ballë të dhomës së ndejës, Nurie e Isuf Tetaj kanë vendosur fotografinë e djalit të tyre Agonisit, i cili në shtatorin e 2018-s u vra në vendin e tij të punës nga djali i pronarit të kompanisë, Shaban Gogaj.
Thonë se e kanë zor t’i rrinë përballë pas vendimit që të premten e mori Gjykata Themelore e Pejës për ta dënuar të akuzuarin me 5 vjet burg për vrasje e 2 vjet e gjysmë për armëmbajtje pa leje. Ndaj Gogajt u zhvilluan dy procese gjyqësore e të dyja përfunduan me dënimin e njëjtë. Të zhgënjyer thellë, prindërit nuk i besojnë drejtësisë që e vendosi dy herë gjyqtarja Violeta Husaj-Rugova. Ata pretendojnë që, para se t’ua vriste djalin, Shaban Gogaj kishte qenë i përfshirë edhe në një vepër tjetër, për të cilën gjyqtarja e njëjtë në rastin e Agonisit i kishte dhënë dënim me burg shtëpiak.
Nëna Nuria thotë se Gogaj doli nga burgu shtëpiak dhe ia vrau djalin.
“2018 më 3 gusht, ky person, ky kriminel, se as emrin s’mund t’ia përmendi ose monstrum me quajt, e ka bërë një rrahje me një djalë të Kuqëve të Deçanit. Kjo gjyqtare më 3 gusht 2018 e ka dënuar në përkujdesje të prindërve. Qe çka kanë bërë, ai ka qenë i dënuar me ndenjtë në shtëpi, burg shtëpiak. Ka shkuar në punë i lirë, kur ka shkuar në punë më 23 shtator 2018 ma ka vrarë djalin. Qe sa ka pasur diferencë 55 ditë”, thotë Nurie Tetaj.
Ajo shprehet e indinjuar me vendimin e së premtes që mori trupi gjykues në Gjykatën e Pejës, që e gjykoi veprën si vrasje nga pakujdesia.
“Unë nuk di atë gjyqtare qysh e merr gjumi, qysh fle, qysh i këqyr fëmijët e vet. Qysh e këqyr fëmijën e vet kur një dënim e ka dhënë me 7 vjet e gjashtë muaj, qysh mundet me kthye kryet e me i pa fëmijët e vet e fëmijët Agonisi i ka lanë veç tri vjeç”, shton ajo.
Për shkak të gjyqtares, babai i Agonis Tetajt thotë se kishin kërkuar të ndërrohej i tërë trupi gjykues.
“Ne kemi kërkuar të ndërrohet krejt gjyqi për rastin e djalit tim, por nuk na e ka marrë kurrkush parasysh atë farë pune”, thotë ai. “Kur ka dalë video është dashur të vijë dikush prej hetuesve, pasi e kemi nxjerrë videon. Se nuk e kemi nxjerrë për qejf, se nuk është pamje e mirë ajo, por e kemi parë se është duke u bërë padrejtësi”, shton Nuria.
Gjyqi prej më shumë se pesë vjetësh ka qenë i rëndë emocionalisht për prindërit. Babai i Agonisit thotë se brenda sallave gjyqësore nuk merrej parasysh gjendja emocionale e tyre.
“Në gjykim kemi përjetuar gjithfarë provokimesh. Merre me mend e njëjta gjyqtare e lejojke djalin që ma ka vrarë djalin me më thanë baca Isuf. Njëherë s’i fola, ma bënë vërejtjen me më qitë jashtë. E rrisha unë aty, mos fol veç këqyr seri. Po qysh lejohet me ma bo baca Isuf e mu ma ka vrarë djalin. Qysh lejohet. Është dashur me i thënë atij djalit, fol, po bile emrin mos ia përmend”, shprehet ai.
Ata kanë paralajmëruar ankimim në Gjykatë të Apelit, nga e cila presin shqiptim më të rëndë të dënimit.
“Nuk lejojmë më me u kthye në Pejë, sa të mundemi, nëse nuk na dëgjon kurrkush atëherë duhet me i çu duart prej drejtësie. Ne presim drejtësi, i kërkoj Apelit me ashpërsu dënimin, se kështu nuk shkon. Qe 6 vjet jemi kah presim drejtësi, qe 6 vjet kemi shku zvarrë nëpër gjykata”, thotë Nurie Tetaj.
Tetaj 29 vjeç u vra në shtator të vitit 2018 në Deçan. Ai ka lënë prapa vetes dy fëmijë binjakë.