Rreth 45 milionë euro do të bartë kryeqyteti nga ky vit në vitin 2023.
Për nënkryetarin Alban Zogaj, ky suficit po ndodh për shkak se kanë trashëguar një buxhet të planifikuar keq.
Bartja u diskutua në Kuvendin Komunal të Prishtinës derisa po debatohej për “Raportin Financiar buxhetor për periudhën 1 korrik-30 shtator”.
“Kemi trashëguar një buxhet që është i planifikuar keq. Kemi pas bartje 45 milionë euro dhe e njëjta bartje po na ndodh edhe tash jo më shumë. Siç i kemi bartë 45 milionë euro prej 2021 në 2022-ën, ngjashëm do t’i bartim nga 2022 në 2023. Për faktin se po bartin projekte të cilat janë keq të planifikuara. Projekti nuk është emër dhe numër, projekti lypë përgatitje e këto përgatitje i kemi gjet keq”, that Zogaj.
Sipas këtij raporti, realizimi i buxhetit për periudhën 1 janar deri më 30 shtator 2022, është 40 për qind, prej të cilave për paga dhe mëditje 73 për qind, mallra dhe shërbime 61 për qind, komunali 58 për qind, subvencione 61 për qind dhe investime kapitale 8.7 për qind.
Sa i përket këtij raporti, pati kritika të mëdha nga opozita.
Mirsad Vitia, asamblist i VV-së, tha se të hyrat vetjake në 3-mujorin e tretë të këtij viti, janë më të ulëtat në krahasim me 3 vjetët e fundit.
“70 për qind e projekteve të drejtorive komunale nuk është bërë asgjë në këtë vit. Përveç drejtorisë së parqeve që ka realizuar afër 50 për qind të buxhetit të saj për këto projekte, drejtoria e Administratës dhe Shërbimeve Publike sillen rreth 20 për qind, të gjitha drejtoritë tjera pa përjashtim nuk arrijnë as 10 përqindëshin. Kaq për përformancën e qeverisjes LDK-PDK, në Prishtinën e përjetimeve”, tha Vitia.
Shefja e Grupit të asamblistëve të LDK-së, Jeta Rafuna, për këtë performancë ka lënë fajtore Qeverinë e Kosovës.
“Sa i përket shpenzimeve kapitale po dua të bëj një krahasim me nivelin qendror, rritja e çmimeve dhe mos-subvencionimi i kontratave ka krijuar një kaos në krejt kontratat publike dhe këtë ka mundur ta rregulloj Qeveria e Kosovës me subvencionimin e kontratave dhe që një vendim të tillë nuk arritur ta bëj deri më tani që jemi në prag të vitit”, tha Rafuna.
Sipas pozitës, gjatë këtij viti, 200 procese të Komunës së Prishtinës janë dërguar në prokurim gjatë këtij viti, nga të cilat një numër i madh kanë gjetur bllokime për shkak të mosfunksionimit të OSHP-së për një kohë të gjatë.