Gjykata Themelore në Prishtinë u ka bërë ftesë publike për paraqitje, Ranko Vllahoviqit, Adem Çatoviqit dhe Momçillo Vukotiqit, të akuzuar për krime lufte. Sipas aktakuzës për gjykim në mungesë të pandehurit ngarkohen se kanë marrë pjesë në vrasje, bastisje, torturë ç ‘njerëzore në fshatin Ozdrim të komunës së Pejës dhe fshatrat përreth.
Torturat, maltretimet, arrestimet e trajtimet ç ‘njerëzore që i përjetuan banorët e fshatit Ozdrim dhe fshatrave përreth, përshkruhen në aktakuzën e Prokurorisë Speciale për ish-pjesëtarët e policisë, që ngarkohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoRanko Vllahoviqin, Momcillo Vukotiqin dhe Adem Çatoviqin, pjesëtarë të forcave policore serbe gjatë periudhës 1998-99, banorët i kanë identifikuar duke i përshkruar se ata zakonisht visheshin me uniforma të policisë serbe e ishin të armatosur me armë të gjata.
Ndonëse tre të pandehurit janë të paarritshëm për organet e drejtësisë në Kosovë, Prokuroria i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Prishtinë të mbahet gjykim në mungesë, e kjo e fundit u ka bërë ftesë publike për paraqitje në korrik të këtij viti.
“Në mëngjesin e datës 07.05.1999, forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, fillimisht e rrethuan fshatin Ozdrim, e pastaj filluan një ofensivë ushtarako-policore kundër banorëve të këtij fshati, ashtu që të ndara në tre (3) grupe e sulmuan fshatin nga tri (3) drejtime, ku kishin hyrë njësitet speciale të ushtrisë serbe, kurse nga ana veriore e fshatit Ozdrim me rrugën regjionale Pejë – Mitrovicë kishin hyrë ushtria e rregullt dhe në fund nga ana perëndimore e fshatit Ozdrim e cila kufizohet me fshatin Vitomiricë kishin hyrë grupet paramilitare të përzier, pjesëtarë të njësiteve speciale dhe pjesëtarë të së ashtuquajturës Mbrojte territoriale, filluan të shtinin me armë në drejtim të popullsisë civile me ç ‘rast u vranë gjashtë (6) civilë të nacionalitetit shqiptar”, thuhet në aktakuzë.
Sipas aktakuzës, më 7 maj të 1999-s, forcat ushtarake e paramilitare serbe në të cilat bënin pjesë edhe të pandehurit, bastisën, rrahën e matretuan me dhjetëra persona, ku fillimisht i arrestuan rreth 40 persona dhe i dërguan në një garazh që gjendej pranë nënstacionit policor në Ozdrim, ku i mbajtën disa ditë duke mos iu ofruar ushqim e as ujë për pije.
“Në 3 grupe të ndara i kanë transportuar në Pejë në një shtëpi private ku ka qenë e vendosur komanda e policisë serbe dhe aty i morën në pyetje duke i torturuar, trajtuar në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, rrahur e maltretuar, e më pastaj i dërguan si të burgosur në burgun e Pejës, e nga aty në burgun e Leskovcit në Serbi, ku kishte vazhduar torturat fizike dhe psikike nga ana e oficerëve korrektues duke i mbajtur në kushte skllavërie pa ushqim, higjienë dhe pa kushte gjumi, të cilët u liruan pas përfundimit të luftës me ndihmën e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar”, thuhet tutje në aktakuzë.
Sipas Prokurorisë, forcat policore dhe ushtarake serbe, i dëbuan nga shtëpitë e tyre banorët e fshatit Ozdrim, kryesisht të moshuar, të gjinisë femërore dhe fëmijë, duke i grumbulluar në mesin e lagjes së ‘’Gashve’’ në fshatin Ozdrim e më pastaj i depërtuan duke i urdhëruar që të shkojnë në drejtim të Shqipërisë, e më pas filluan plaçkitjen, djegien dhe shkatërrimin e mbi 62 shtëpive.
Gjatë vitit 2024, për krime lufte të kryera në Kosovë janë ngritur 14 aktakuza ndaj 25 serbëve të dyshuar. Prej tyre, gjashtë janë ngritur në mungesë ndaj 11 serbëve, ndërsa shtatë të tjera janë ndaj 13 personave që janë arrestuar.