Pas pritjeve të gjata të mërgimtarëve në pikën kufitare Bajakovo, ambasada e Kosovës në Zagreb ka njoftuar se aktualisht pritja është 10-15 minuta, derisa stafi i ambasadës ka qenë i pranishëm sot për t’iu shpërndarë ujë dhe pako ushqimore.
Sipas njoftimit tutje, në funksion janë tetë korsi hyrëse dhe se kolonat kanë qenë kryesisht si pasojë e sistemit EES.
“Edhe pse kolonat e automjeteve janë të gjata, sipas informacioneve të marra nga autoritetet kompetente, koha e pritjes për kalimin e kufirit aktualisht është vetëm 10–15 minuta. Në funksion janë tetë korsi hyrëse, ndërsa autoritetet kroate po bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të siguruar një qarkullim sa më të shpejtë dhe efikas. Kolonat janë kryesisht pasojë e zbatimit të Sistemit EES (Entry/Exit System), i cili ka sjellë procedura të reja të kontrollit kufitar dhe ka ndikuar në ngadalësimin e përkohshëm të qarkullimit”, thuhet në postim.
Edhe Ministria e Punëve të Jashtme në Kosovë, ka konfirmuar stabilizimin e gjendjes me kolonën dhe sipas njoftimit ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka vizituar këtë pikë kufitare dhe është takuar me bashkëatdhetarët që ishin duke pritur.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton se, pas pritjeve dhe kolonave të gjata të raportuara gjatë ditës në pikën kufitare Bajakovo, në kufirin ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë, situata tashmë është stabilizuar dhe qarkullimi po zhvillohet pa vonesa të gjata”, thuhet në njoftim.
Gjatë ditës është raportuar se pritjet në këtë pikë kanë qenë që nga ora 1 pas mesnate dhe deri në më shumë se 12 orë. Bllokada siç raportohej ka qenë në kilometrin e 23-të para kufirit Kroaci-Serbi.