Prokuroria ka prezantuar prova, të cilat i inkriminojnë katër serbë për sulm me granatë dhe me mjete të tjera shpërthyese ndaj zyrës së Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut. Sipas prokurorit Bekim Kodraliu, faktet dëshmojnë për koordinimin e katër të akuzuarve gjatë kryerjes së sulmit. Por, provat janë kundërshtuar nga avokatët e të akuzuarve
Fotografi, videoincizime e biseda janë prezantuar në gjykimin ndaj Milun Milenkoviqit, Aleksandër Vlajiqit, Dejan Pantiqit dhe Miomir Vakiqit, të akuzuar për sulmin me granata të kryer në dhjetor të vitit 2022 ndaj zyrës së Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut.
Në seancën gjyqësore për rastin, prokurori special, Bekim Kodraliu, ka prezantuar 14 raporte të Policisë, të cilat sipas tij e vërtetojnë koordinimin mes të akuzuarve gjatë kryerjes së sulmit.
“Ky është një ndër komunikimet që Aleksandër Vllajiqi i jep se si do të veprohet në ditën kur do të hapet zyra e KKZ-së, në Mitrovicë. Në këto biseda ai thotë se, në mëngjes do të vijnë zotërinjtë nga KQZ-ja dhe jo sonte. Ka qenë i njoftuar edhe për vizitën që do e bëjnë zyrtarët në zyrën që gjendet në veri”, ka thënë Kodraliu.
Prokurori ka lexuar disa nga komunikimet.
“Kam dëgjuar për në mëngjes, dyshoj natën pasdite dhe është mjaft e rrezikshme. E po kështu unë mendoj. I pandehuri Vllajiq, citoi: ‘Do të vëzhgojmë, nesër do të jetë ma wow, ata do të ndiejnë pulsin’, duke iu referuar Policisë”, ka thënë Kodraliu.
E për të akuzuarin Milun Milenkoviq, i njohur si Llune, prokurori Kodraliu ka thënë se në bazë të provave, bashkë me persona të tjerë ka sulmuar zyrat e KKZ-së.
“E kemi sulmin kur ndodh nga i pandehuri Llune me një grup të personave të tjerë, duke hedhur granatën dhe mjete shpërthyese brenda. Kjo është ngjarja se si zhvillohet në momentin kur pritet edhe ardhja e autoambulancës për t’u pajisur me mjete shpërthyese”, ka thënë ai.
Në provat e Prokurorisë tregohet se i akuzuari Milenkoviq ka kërkuar të shtihet me armë në drejtim të tij dhe të veturës së Policisë, në rast se arrestohet.
E për të akuzuarin tjetër, Dejan Pantiq, prokurori Kodraliu ka thënë se provat materiale tregojnë se ai ka marrë pagë nga sistemi i Serbisë.
“Ka qenë pjesë e strukturave të mbrojtjes civile, strukturave të sigurisë së Serbisë, për të cilin kemi nxjerrë prova konkrete, që ka pranuar edhe pagë nga sistemi i Serbisë”, ka thënë ai.
Provat e paraqitura materiale i kanë kundërshtuar avokatët e të akuzuarve.
“Unë do të kundërshtoj me radhë provat për të mbrojturin tim. I kundërshtoj të gjitha fotografitë dhe në tërësi të gjitha provat”, ka thënë Predrag Milkoviq, avokat i të akuzuarit Millun Milenkoviq.
“Në aktakuzë theksohet se fotografia numër 2 e tregon të akuzuarin Milenkoviq dhe Pantiq se si shkojnë te zyrat e KKZ-së. Askush nga të pandehurit dhe Pantiq nuk shkojnë në zyrat e KKZ-së”, ka thënë Lubomir Pantoviq, avokat i të akuzuarit Dejan Pantiq.
“Ne e dimë shumë mirë se çfarë është ky proces. Është thjesht politik”, është shprehur Dejan Vasiq, përfaqësuesi ligjor i të akuzuarit Miomir Vakiq.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale thuhet se gjatë sulmit në objektin e KKZ-së në Mitrovicë të Veriut, një autoambulancë është përdorur për bartje të granatave të dorës, e të cilat i ka marrë i akuzuari Millenkoviq.
Ai dhe të pandehurit Vlajiq, Pantiq e Vakiq akuzohen se kanë hedhur granata dore dhe shok-bomba me qëllim të detyrimit të institucioneve shtetërore të Kosovës për t’u tërhequr nga organizimi i zgjedhjeve të 23 prillit në veriun e banuar kryesisht me serbë.