Arbëri

Protestë në festivalin e jazit në veri, fyhet kryetari Atiq

Protestë në festivalin e jazit në veri, fyhet kryetari Atiq

FOTO: Screenshot

Gjatë përgatitjeve për hapjen e festivalit “Mitrovica International Jazz Days” të premten, një grup qytetarësh serbë protestuan pranë skenës së vendosur në qendër të Mitrovicës së Veriut, duke brohoritur dhe fishkëllyer.

Grupi, që ndodhej në një kafene me shpinë të kthyer nga skena, nisi të bëjë ofendime në momentin kur mbërriti kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, sipas videove të publikuara nga mediumi serb “Alternativna”.

Shefi i operativës rajonale në Mitrovicën e Veriut, Petrit Fejza, ka thënë për KOHËN se dy persona janë ndaluar për “prishje të qetësisë”. Ai e ka përshkruar gjendjen si të qetë.

Këtë vit festivali po zhvillon edicionin e tretë. Dy edicionet e kaluara janë mbajtur në Parkun e Qytetit në Mitrovicën e Jugut, ndërsa për herë të parë një nga netët po organizohet në qendër të Mitrovicës së Veriut. Festivali do të mbahet nga 8 deri më 10 gusht: nata e parë në veri, ndërsa dy netët e tjera në jug, sipas mediumit serb “Radio Mitrovica e Veriut”.

VIDEO:

Më herët, Lista Serbe u kishte bërë thirrje bizneseve në qendër të Mitrovicës së Veriut që të mos marrin pjesë në festival. Ata paralajmëruan se do t’i drejtohen komunitetit ndërkombëtar.

“Kjo është formë presioni dhe përpjekje për të frikësuar, me synim mbytjen e jetës kulturore të komunitetit serb në Kosovë”, thuhet në reagimin e kësaj partie.