Arbëri

Punëtorët e RTK-së mbajnë grevë njëorëshe për mungesën e pagave

Greva e punëtorëve të RTK-së

Foto: Driton Paçarada

Punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës kanë mbajtur të hënën një grevë njëorëshe, nga ora 11:00 deri në 12:00, në shenjë pakënaqësie ndaj mungesës së pagave.

Sipas sindikatës, gjatë grevës është kërkuar që të ndërpriten të gjitha aktivitetet e punës dhe të mos zhvillohet asnjë proces i rregullt.

Punëtorët theksojnë se situata është e rënduar dhe kërkojnë nga institucionet përgjegjëse që të ndërhyjnë urgjentisht për të zhbllokuar pagesat, duke theksuar se çdo vonesë e mëtejme e dëmton funksionimin normal të transmetuesit publik.

Sindikata ka paralajmëruar se, nëse kërkesat e punëtorëve nuk merren parasysh dhe problemi nuk gjen zgjidhje, greva do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, madje me mundësi të zgjerimit të masave të protestës.

Pas grevës së mbajtur nga punëtorët e RTK-së, ka reaguar nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Sipas saj, Qeveria ka bërë zgjidhje të përkohshme në mungesë të Kuvendit të konstituuar, duke ndarë huadhënie për të mundësuar pagesat e punëtorëve. Tani ajo vlerëson Kuvendi është konstituuar dhe përgjegjësia bie mbi subjektet politike për të mundësuar financim të qëndrueshëm për RTK-në.

“Qeveria e Kosovës ka bërë zgjidhje për pagat e punëtorëve të RTK-së sa nuk kishte Kuvend të konstituuar duke ndarë një huadhënie për ta. Mirëpo tash që kemi Kuvend të konstituuar, nuk ka sens të vazhdohet me huadhënie të tjera, zgjidhje të përkohshme, kur krejt çfarë duhet për financimin e plotë dhe të qëndrueshëm të këtij institucioni dhe punëtorëve të tij është që grupet politike të mblidhen e t’i formojnë komisionet parlamentare”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Ajo ka kritikuar opozitën, duke thënë se “nuk është në rregull që ajo të vazhdojë e të bëjë politikë me këtë çështje, kur e di saktë që kjo është e vetmja mënyrë përpara për RTK-në dhe punëtorët e saj”.