Të papranueshëm e zhgënjyes e kanë cilësuar punëtorët e shërbimit teknik dhe ata të sigurimit fizik të spitaleve e QMF-ve, vendimin e Qeverisë për shtesat e ndara për stafin shëndetësor. Punëtorë të këtyre sektorëve nuk janë përfshirë në listën e shtesave, e të cilët kanë thënë se janë më të rrezikuarit dhe se në fund të muajit shtator do të vendosin për mënyrën se si do t’i shprehin pakënaqësitë e tyre
Situata e rënduar me pandeminë COVID-19, e krijuar javëve të fundit në Kosovë, ka shtyrë punëtorët e shërbimit teknik dhe ata të sigurimit fizik të spitaleve e QMF-ve që t’u japin kohë institucioneve për të reaguar. Në një mbledhje të mbajtur këtë të enjte ata kanë diskutuar për mospërfshirjen e tyre në shtesat e ndara nga ekzekutivi, duke thënë se kërkojnë trajtim të barabartë.
Adem Borovci, përfaqësues i 50 punëtorëve që punojnë në Qendra të Mjekësisë Familjare, ka thënë se vendimi për 60 euro shtesë është më shumë lëmoshë.
“Jemi të zhgënjyer me vendimin për shtesa. Ne nuk po kërkojmë lëmoshë. Jam i mendimit që deri në fund kemi për t’i shkuar kësaj çështjeje”, ka thënë ai.
Kurse, kryetari i Shoqatës së Sigurimit Fizik në QKUK, Sabri Ejupi, tha se vendimi prej 60 eurosh shtesë s’do koment. Ai ka treguar se si kjo kategori e të punësuarve u ekspozohet më së shumti infektimeve.
“Kemi mbi 250 punëtorë të sigurimit. Çdo pacient pa kaluar te punëtori i sigurimit fizik nuk ka si të kalojë te mjeku apo infermierja. Ky vendim nuk ka koment”, është shprehur ai.
E, kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë se më 30 shtator do të takohen sërish për të vendosur mbi masat që do të ndërmarrin, duke mos i përjashtuar grevat.
“Pse punëtoret teknikë dhe të sigurimit fizik të Qendrave të Shërbimit Klinik dhe të ambulancave u degraduan? Jemi të indinjuar jo nga shuma e mjeteve që nuk na dhanë këtë muaj, por që ne jemi prijatarët që po ballafaqohen me COVID-19, andaj kjo lloj ndarjeje nuk i ka hije një Qeverie”, ka thënë ai.
Azemi më tej ka treguar se shqetësimin e tyre e ka adresuar në instancat më të larta prej presidentes, kryeministrit, ministrit të Shëndetësisë e atij të Financave, porse nuk ka marrë përgjigje.
Muajin e kaluar Qeveria ndau 2.7 milionë euro për stafin shëndetësor për tre muajt - gusht, shtator e tetor. Vendimi ishte që të ndahen shtesa prej 10 për qind të pagës së rregullt bruto, por jo më pak se 60 euro në muaj, e që u shoqërua me pakënaqësi të shumta nga stafi shëndetësor. Madje, personeli shëndetësor i Klinikës Infektive, gjatë muajit të kaluar, i kishte dërguar një letër Ministrisë së Shëndetësisë, lidhur me pakënaqësitë e tyre për shtesat prej 60 eurove. Ata përmes kësaj letre kanë refuzuar ndihmën e ndarë nga Qeveria e Kosovës. “Refuzojmë lëmoshën e Qeverisë së Kosovës dhe nën betimin e Hipokratit, do të vazhdojmë të luftojmë kundër COVID-19 me të gjitha forcat tona, sepse pacienti ka qenë dhe vazhdon të mbetet i shenjtë”, thuhej në reagim.
Kundër këtij vendimi ka dalë edhe Federata e Sindikatave të Shëndetësisë e Kosovës.