Arbëri

Punimet në rrugë shkaktojnë telashe në furnizimin me ujë në disa lagje në Podujevë

Uji

Punimet në rrugën “Skënderbeu” në Podujevë janë duke shkaktuar telashe në furnizimin me ujë në disa lagje të qytetit.

Zëdhënësja e Kompanisë Regjionale të Ujësjellësit KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku, ka thënë se si ujësjellës janë duke e shpërndarë në mënyrë të barabartë ujin.

“Furnizimi në Komunën e Podujevës është shumë i mirë dhe se shpërndarja po bëhet çdokund në mënyrë të barabartë. Arsyeja e mungesës së ujit në disa pjesë të Podujevës apo diku edhe shtypja e ulët është për arsye të punimeve teknike nga Komuna e Podujevës, respektivisht kontraktorë të komunës dhe përgjatë punimeve duhet ndërprerë furnizimi deri në realizimin e tërësishëm të punimeve”, ka theksuar zëdhënësja Mjeku.

Ndërkohë, në Komunën e Podujevës kanë thënë se së shpejti banorët e këtyre lagjeve do të kenë furnizim të rregullt me ujë.

“Për shkak të punimeve që po zhvillohen në rrugën ‘Skënderbeu’ dhe ndërrimit të gypit të ujësjellësit po ka ndërprerje të furnizimit me ujë për banorët që jetojnë në këtë zonë. Punimet në ndërrimin e gypit janë në fazën përfundimtare dhe së shpejti këta banorë do të kenë furnizim të rregullt me ujë”, ka thënë ai.

Banorët e këtyre lagjeve të Podujevës kanë telashe me furnizim me ujë prej kur ka filluar ngritja e temperaturave.