Arbëri

Punimet në rrugën “Holger Petersen” po krijojnë bllokada në qytet

Tollovi të mëdha po bëhen në rrugicat afër QKUK-së.

Për shkak të punimeve në rrugën “Holger Pedersen”, veturat detyrohen t’i përdorin rrugët alternative.

Për këtë arsye, rruga “Ahmet Gashi” dhe “Muhamet Çami”, që nga e hëna e kaluar janë kthyer në rrugë njëkahore.

Por vozitësit ende nuk janë mësuar me këtë ndryshim. E në këtë mënyrë shpeshherë nuk po respektohet shenja njëdrejtimëshe, duke krijuar edhe tollovi të mëdha, jo vetëm në këtë pjesë, por në tërë qytetin.

Megjithëse shprehen të kënaqur për fillimin e zgjerimit të kësaj rruge, qytetarët e shohin si të papërshtatshme kohën e fillimit të punimeve, duke thënë se po krijohen shumë tollovi.

Për këtë ka pasur ankesë nga banorët e lagjes “Mati 1”, duke bërë edhe një sugjerim për Komunën e Prishtinës.

“Do të ishte e udhës që të vendoset një shenjë orientuese tek hyrjet e rrugës "Muhamet Çami" dhe "Ahmet Gashi" rrugë këto alternative kah është orientuar trafiku për arsye të punimeve në rrugën "Holger Petersen"! Kjo për arsyen se, shumë vetura kur po hynë në rrugën "Malush Kosova" nuk po e dinë ku të kthehen për të dalur në "Muharrem Fejza" dhe si pasojë po vazhdojnë drejt, deri në fund të lagjeve, ku po shkaktohet trafik dhe bezdi për banorët atje! Një shenjë orientuese do ta zgjidhte këtë problem!” – tha Dren Shahini, banor i “Matit 1”.

Komuna e Prishtinës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve, duke thënë se punimet do të kryhen më së largu brenda 3 javëve.

Zgjerimi i rrugës duke formuar korsinë e veçantë për lagjen “Mati 1”, trotuar e gjelbërim, është pamja e kësaj rruge pas përfundimit të punimeve.

Por, për asfaltim dhe zgjerim ka nevojë edhe rruga lidhëse e “Holger Pedersen” që të çon te “ Pallati i Drejtësisë”.

Për këtë, Xhaferi thotë se pritet të bëhet zgjidhje pas fillimit të ndërtimit të Rrugës A, në vitin e ardhshëm.

Me ndërtimin e Rrugës A, pritet fillimi i punimeve edhe për vazhdimin e Rrugës B.