Kuvendarë opozitarë kanë kërkuar llogaridhënie nga ekzekutivi në Shtime për një numër punësimesh, sipas tyre, mbi bazë të lidhjeve familjare e politike. Por kryetari i kësaj komune, Qemajl Aliu, i ka quajtur trillime pretendimet e opozitës
Mbledhja e Kuvendit Komunal në Shtime të enjten është përcjellë me akuza e kritika të kuvendarëve opozitarë ndaj ekzekutivit për punësime, sipas tyre, në baza politike e familjare.
Kritikat më të mëdha janë shprehur për punësimet në sektorin e arsimit. Kuvendarët opozitarë kanë shprehur bindjen se familjarë të disa zyrtarëve komunalë janë punësuar pa i plotësuar kriteret.
“Konkursi për asistent për fëmijë me nevoja të veçanta është absurd, kur në këtë konkurs pranohet një person i cili e ka përfunduar gjuhën angleze. Ndërkaq lihet anash një person i cili e ka kryer psikologjinë, jo vetëm fakultetin, por edhe masterin. A mund ta dimë se çfarë analize keni dashur të bëni këtu që të zgjidhni njerëz jo të profilit të caktuar, por të zgjidhni njerëz që nuk kanë fare lidhje me këtë profil”, ka thënë asamblisti Besnik Seferi nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).
E Adelina Beqaj, kuvendare nga radhët e Partisë Demokratike (PDK) në opozitë, ka thënë se qeverisja lokale është duke abuzuar me konkurse publike, duke i diskualifikuar kuadrot profesionale dhe me përvojë të punës.
“Po e shohim se në komunën tonë për çdo ditë është duke lulëzuar nepotizmi dhe jeni duke abuzuar me fëmijët e këtij institucioni, duke dërguar edukatore të reja dhe duke bërë politikat e juaja në atë çerdhe publike. Prandaj dua të di se ku i keni pyetjet për nepotizëm që i keni dhënë gjatë fushatës suaj si ekzekutiv”, ka thënë ajo.
Reshat Mujota, kuvendar i pavarur, ka thënë se ish-drejtori i Arsimit dhe njëri prej kuvendarëve të koalicionit qeverisës i kanë punësuar gratë e tyre në arsim.
“Tregoni se i keni punësuar, sepse ju ka ardhur dita për nepotizëm. Qytetari duke i ikur nepotizmit e ka bërë ndryshimin, por nëse edhe ju keni filluar të bëni gara me ish-pushtetin se kush po punëson më shumë, atëherë vazhdoni se në zgjedhje prapë kemi për të shkuar”, ka theksuar Mujota, teksa ka kërkuar që Komuna t’i publikojë emrat e punësuarve.
Por kryetari i Komunës, Qemajl Aliu, i ka quajtur trillime pretendimet e opozitës.
“Për këta 16 muaj që jam kryetar nëse e dini një gjë nëse unë e kam punësuar një familjar të ngushtë ose një person të farefisit, andaj kjo nuk qëndron, kështu që nuk kemi nevojë të diskutojmë, por këto janë praktika tuaja. Ne do t’i respektojmë kriteret dhe njerëzit do të përfitojnë sipas aftësive të tyre dhe certifikimeve të tyre”, ka theksuar Aliu. Sipas tij, ata që flasin për nepotizëm po vetëdemaskohen, pasi që këto praktika i kanë zbatuar sa e kanë pasur qeverisjen.
“Këto janë paragjykime, sepse ju i keni bërë këto gjëra. Prandaj po mendoni se edhe ne duhet t’i bëjmë, por ne fatkeqësisht nuk i bëjmë”, ka shtuar ai.
E drejtoresha e Arsimit, Yllka Fejzullahu, ka thënë se në raste të mungesës së drejtimeve adekuate, atëherë punësohen kandidatët me drejtime të përafërta.