Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka pranuar si të bazuar ankesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës që përfaqësitë diplomatike dhe hapësirat e tyre do të jenë qendra të votimit jashtë Kosovës për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, dhe jo hapësirat e tjera alternative, duke e ndryshuar vendimin e mëparshëm.
Ky vendim është bërë i ditur nga Donat Lushaku, zëdhënës në komunën e Prishtinës.
“Pranohet e bazuar ankesa e datës 27.11.2025 e parashtruar nga subjekti politik Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me seli në Prishtinë, NDRYSHOHET Vendimi Nr.01/3438- 2025, i datës 26.11.2025 i Komisionit Qendror i Zgjedhjeve, sa i përket Qendrave të Votimit jashtë Kosovës, numrit të vendvotimeve si dhe listën e qendrave të votimit, ashtu që Qendra të Votimit jashtë Kosovës për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që do të mbahen me 28 dhjetor 2025, caktohen përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës apo hapësirat e tyre. Lista e Qendrave të Votimit, si në pikën I të këtij vendimi përbëhet vetëm nga Qendrat e Votimit në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës apo hapësirat e tyre”, thuhet në vendim.
Vendimi është marrë nën arsyetimin se është marrë me shumicë votash, duke provuar kështu të imponojë "një formë të re" të organizimit të zgjedhjeve që konsiderohet më e përshatshme për subjektin sponsorizues të kësaj ideje.

Murati akuzon LDK-në se është kundër diasporës
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i cili i ka dhënë të drejtë LDK-së, duke i anuluar qendrat alternative të votimit jashtë Kosovës.
Murati e ka akuzuar këtë parti se është kundër diasporës.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka ofruar hapësira shtesë për votim (përveç ambasadave e konsullatave), ashtu që diaspora jonë të ketë sa më afër vendvotimin dhe kësisoj sa më të lehtë procesin e votimit. LDK paraqet ankesë në PZAP për të kundërshtuar këtë lehtësim për diasporën. PZAP e miraton ankesën e LDK-së. Me deklarata LDK-ja e kërkon votën e diasporës, ama me vepra po shihet që po bën çmos që ta pengojë”, ka shkruar Murati në Facebook.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka pranuar si të bazuar ankesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës që përfaqësitë diplomatike dhe hapësirat e tyre do të jenë qendra të votimit jashtë Kosovës për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, dhe jo hapësirat e tjera alternative, duke e ndryshuar vendimin e mëparshëm.