Arbëri

Qendra e Alarmimit të Zjarrfikësve në Ferizaj prej 10 vjetësh e pafunksionalizuar

Mbi 110 mijë qytetarë të Komunës së Ferizajt për raste të zjarreve obligohen që fillimisht ta telefonojnë Qendrën e Alarmimit në Gjilan e pastaj informacioni të bartet te zjarrfikësit në Ferizajt. Është kjo situatë, ndonëse në vitin 2012 Komuna e ka ndërtuar një objekt për ta funksionalizuar Qendrën e Alarmimit për Zjarrfikës. Komandanti i zjarrfikësve në Ferizaj tha se procesi i hapjes së qendrës ka ngecur shkaku i raporteve jo të mira mes Komunës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme

Prej më shumë se dhjetë vjetësh Komuna e Ferizajt ka ndërtuar objektin e dedikuar për qendër të alarmimit për institucionin e zjarrfikësve, por deri më tash nuk është funksionalizuar.

Shkaku i kësaj mbi 110 mijë qytetarë të kësaj komune, në raste të ndonjë zjarri, obligohen të thërrasin në Qendrën e Alarmimit në Gjilan e më pastaj ajo i njofton zjarrfikësit në Ferizaj.

Zymri Krasniqi, komandant i zjarrfikësve ne Ferizaj, tha se procesi i hapjes së qendrës ka ngecur shkaku i raporteve jo të mira mes Komunës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Qendra e Alarmimit këtu në Ferizaj nuk funksionon për momentin, megjithëse ekziston objekti dhe janë bërë gjithmonë bisedimet se një qendër e tillë të bëhet në Ferizaj. Ne të gjitha thirrjet i pranojmë përmes Qendrës së Alarmimit në Gjilan, ndërkaq ne i kemi Policinë dhe numrat tanë, mirëpo një vendim i mirë për një qendër të alarmimit të funksionon në Ferizaj është e mirëseardhur dhe e domosdoshme, sepse mbi 110 mijë banorë të Ferizajt thirrjet e tyre mund t’i kenë sa më afër dhe është e domosdoshme”, ka thënë Krasniqi.

Autoritetet lokale thanë se punëtorët që është planifikuar të punësohen në Qendrën e Alarmimit në Ferizaj, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave i ka marrë në Prishtinë.

Arben Halili, drejtor për Shërbime Publike në këtë komunë, kërkoi që objekti që është ndërtuar në vitin 2012 me paratë e Komunës të funksionalizohet brenda një të ardhmeje të afërt, pasi theksoi se një gjë e tillë është e domosdoshme.

“Meqenëse ekziston objekti dhe meqenëse është premtuar shumë herë se do të funksionalizohet Qendra e Alarmimit dhe Shpëtimit, kjo nuk ka ndodhur fare. Arsyet i dinë në AME dhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme, sepse duhet që ata ta funksionalizojnë objektin. Ne shpeshherë i kemi marrë obligimet tona që na takojnë, sepse objekti ekziston, duhet të bëhet edhe inventarizimi që ne po zotohemi se do ta bëjmë edhe këtë investim”, deklaroi Halili.

As Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave dhe as Ministria e Punëve të Brendshme nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me këtë problem të Komunës së Ferizajt.