Avokati Artan Qerkini vlerëson se deri në mars të vitit të ardhshëm mund të ketë një vendim të shkallës së parë në Dhomat e Specializuar në Hagë në rastin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Qerkini në emisionin “60 Minuta” në KTV ka thënë se vendimi në mars mund të merret në rast se trupi gjykues nuk fton dëshmitar. E nëse fton atëherë mund të zgjasë më tepër.
“Nëse nuk fton trupi gjykues dëshmitar, atëherë rasti i mbrojtjes përfundon nga fundi i nëntorit. Pastaj vjen fjala përfundimtare. E trupit gjykues do t’i duhen 3-4 muaj për shpallje të vendimit. Diku nga marsi i vitit të ardhshëm mund të kemi një verdikt të shkallës së parë”, ka thënë Qerkini, avokat i licencuar nga Dhomat e Specializuara.
Ai ka thënë se është humbur shumë kohë në procedurë paraprake.
“Prokurorisë i janë dashur dy vjet për t’ia dorëzuar mbrojtjes provat. Ishte periudhë e paarsyeshme kohore. Mendoj se duhej të përfundonte për 6 muaj, e veçanërisht kur merret parasysh se të pandehurit ishin në paraburgim”, tha Qerkini.
Qerkini ka folur edhe për vendimin e marrë në Speciale për kufizimin e vizitave ndaj Hashim Thaçit. 11 personave iu ndaluan vizitat.
Vendimi është marrë më 18 gusht 2025 nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot.
“Gjykatësi i Procedurës Paraprake thekson se kufizimet e miratuara në këtë vendim kufizohen vetëm në vizitat jo të privilegjuara të z. Thaçi në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara nga: Artan Behrami, Blerim Shala, Ismail Syla, Vllaznim Kryeziu, \çREDAKTUAR], \çREDAKTUAR], Milaim Ahmetaj, Milaim Cakiqi, Avni Kastrati, \çREDAKTUAR] dhe \çREDAKTUAR]. Këto kufizime do të hyjnë në fuqi menjëherë pas njoftimit të këtij vendimi për z. Thaçi”, thuhet në vendim.
Qerkini ka thënë se Specialja me disa vendime e ka tejkaluar parimin e proporcionalitetit.
“Duke filluar nga paraburgimi prej 5 vjetëve, që është është shumë e pazakontë, pasi një person po privohet nga liria pa një verdikt final për fajësinë apo pafajësinë e tij. Kur jemi te vizitat, e dimë se këto vizita kanë qenë jashtëzakonisht strikte e me shumë kufizime. Është dashur të parashtrohet kërkesë, të aprovohet. Dhoma ku janë zhvilluar takimet e z. Thaçi me familjarët e miqtë është vëzhguar në mënyrë elektronike e kanë qenë hetues dhe përkthyes aty. Është masë jashtëzakonisht e rreptë kjo e marrë nga Specialja, pasi ndalohen në tërësi vizitat”, tha Qerkini.
Ai ka thënë se në këto raste nuk lejohet apelimi në mënyrë automatike. Tha se mbrojtja e Thaçit duhet të parashtrojë kërkesë të gjyqtarja e procedurës paraprake për të kërkuar leje për apelim. Nëse e merr këtë leje pastaj parashtrohet ankesa dhe kryetari zgjedh panelin që merret me shqyrtimin e ankesës.
“Ankesa është e kushtëzuar dhe varet nga gjyqtari i procedurës paraprake a lejon apo jo”, tha Qerkini.