Qeveria në mbledhjen e mbajtur sot ka ndarë 26 milionë euro për studentët. Ajo ka miratuar ndarjen e nga 100 eurove për të gjithë studentët, gjithashtu edhe bursën e mobilitetit për studentët e nivelit bachelor, për t’i mbështetur ata që studiojnë larg qytetit ku jetojnë.
Ky vendim është marrë kur kanë mbetur më pak se një javë nga mbajtja e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se përderisa formimi i institucioneve të reja po mbahet pezull, sipas tij, ekonomia po rritet.
Ekonomia ka shënuar rritje prej 4.58 për qind të brutoproduktit vendor në tremujorin e dytë, sipas Kurtit.
Ka shtuar se edhe të hyrat buxhetore kanë shënuar rritje prej 10 për qind krahasuar me vitin paraprak.
“Tashmë e kemi dëshmuar se rritjen ekonomike e ndajmë me qytetaret. Sepse kur rritja ndahet ajo shumohet. Kur zvogëlohet pabarazia në shoqëri, rritet kërkesa agregate në ekonomi. Në kuadër të kësaj ndarje të rritjes ekonomike sot e miratojmë vendimin për ndarjen nga 100 euro për të gjithë studentet që i plotësojnë kriteret. Mbështetja për studentë nuk mbaron me kaq. Sot do të miratojmë edhe bursën e mobilitetit për studentet bachelor. Shuma e mbështetjes do të varet nga distanca nëpërmjet vendbanimit dhe vendit ku studioni”, ka thënë ai.
Ndërkohë ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se për këtë masë janë ndarë 26 milionë euro.
“Nga 100 euro mbështetje e njëhershme me rastin e fillimit të vitit akademik. Lansimi i programit Bursa e Mobilitetit për Studentët”, ka shkruar ai në Facebook.
Është miratuar shpronësimi i pronave të paluajtshme të cilat janë të nevojshme për realizimin e Projektit Infrastrukturor për Interes Publik "Ndërtimi i Urës mbi Lumin Ibër” që lidh Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut.
Qeveria ka ndarë një milion euro për zbatimin e masës 3.4 të pakos së ringjalljes ekonomike – kuponë ushqimi për familjet në nevojë.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka thënë se synimi është që të arrijnë edhe te këto familje “ngjashëm siç kemi bërë në ditët e kaluara.. e sidomos tash që është stina e dimrit e mund të ketë nevojë”.
Qeveria ka miratuar Programin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se programi siguron që konsumatorët e cenueshëm të kenë qasje barabartë.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuan Murati ka thënë se me kthimin e stinës së dimrit rikthehet edhe masa e mbështetjes.
“Është programi që subvencionon faturën të gjitha ato familje që të ardhurat mesatare për anëtar të familjes i ka 150 euro në muaj. Gjatë vitit të kaluar kemi pasur mbi 80 mijë familje përfituese. Të njëjtat nuk kanë nevojë të aplikojnë”, ka thënë ai.
Qeveria ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, për ndarjen e buxhetit shtesë për subvencionimin e teksteve dhe materialeve ushqimore.
Kurti ka thënë se 2 milionë e 500 mijë euro është buxheti shtesë për subvencionimin e teksteve dhe materialeve mësimore.
“Është tejet e nevojshme që të përmbyllet ky proces për këtë vit akademik. Si qeveri jemi munduar që në vazhdimësi të arrijmë te secila familje. Megjithatë mekanizmat shtetëror janë të kufizuar se sa familje mund t’i prekim. Kësisoj kemi bërë edhe ndarjen e shumës prej 1 milionë eurove. Edhe këtë vit do të vazhdoj programi i njëjtën programi zbatohet për muajt e stinës së dimrit. Kësisoj nga tetori deri në mars. Edhe kjo masë është tejet e nevojshme dhe mbështet një numër të madh të familjeve në mënyrë që sadopak të lehtësohet barra.