Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Qeveria ndryshon sistemin e inspektimeve, masa më të ashpra për bizneset që përsërisin shkeljet

Kurti

Qeveria e Kosovës po zbaton një model të ri të inspektimeve, i cili do të bazohet në nivelin e rrezikut të bizneseve, ndërsa subjektet që përsërisin shkeljet ligjore do të përballen me masa më të ashpra, përfshirë gjoba dhe kallëzime penale.

Kështu u tha në prezantimin e Raportit të Përgjithshëm Vjetor mbi Inspektimet 2025, të organizuar nga Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm pranë Zyrës së Kryeministrit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se reforma e inspektimeve synon të orientojë kontrollet drejt subjekteve me rrezik më të lartë, ndërsa ndaj shkelësve të përsëritur të zbatohet një qasje pa kompromis, raportoi EO.

“Një ndër pjesët më të rëndësishme të reformës është një qasje e re, e bazuar në nivele të ndryshme të rrezikut, të krijuara nga subjekte të ndryshme të inspektimit. Për shembull, një biznes i cili merret me aktivitete të rrezikshme ose që ka një ndikim te një numër më i madh i konsumatorëve, parimisht duhet të inspektohet më shpesh sesa bizneset e tjera. Po ashtu, ndaj atyre subjekteve të cilat kanë një histori të shkeljeve të rënda të rregullave ligjore, të cilat rrezikojnë në mënyrë të përsëritur jetën ose shëndetin e punëtorëve dhe konsumatorëve, inspektoratet tona duhet të jenë sa më të rrepta edhe pa kompromis. Duke shfrytëzuar të gjitha mjetet ligjore që i kanë në dispozicion, përfshi gjobitjen, e madje edhe kallëzime penale në raste më të rënda”, ka thënë ai.

Kurti shtoi se pjesa më e madhe e bizneseve nuk janë shkelëse dhe se reforma synon të krijojë një raport më bashkëpunues me sektorin privat.

Inspektorja e Përgjithshme, Lyra Osmani-Ahmeti, tha se gjatë vitit 2025 është shënuar progres në zbatimin e reformës së sistemit inspektues.

Ajo theksoi se është avancuar riorganizimi i trupave inspektues, unifikimi i procedurave dhe zbatimi i metodologjisë së inspektimeve të bazuara në vlerësimin e rrezikut.

Ndërsa, menaxherja e Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Carole Megevand, tha se mënyra se si funksionojnë inspektimet ndikon drejtpërdrejt në klimën e të bërit biznes dhe në tërheqjen e investimeve.

Ajo shtoi se qëllimi është krijimi i një sistemi inspektues që mbështet zhvillimin e sektorit privat pa e ngarkuar atë me procedura të panevojshme.