Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

QKUK-ja kërkon staf shtesë, SHSKUK-ja nuk i premton

SHSKUK

Drejtuesit e klinikave të QKUK-së janë ankuar se numri aktual i mjekëve nuk mjafton për t'iu përgjigjur nevojave në rritje. Ata kanë thënë se kanë bërë kërkesa të vazhdueshme për shtim të stafit profesional. Pavarësisht kërkesave, SHSKUK-ja nuk ka hapur ende konkurse

Kërkesat për shtimin e stafit në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës janë më të shpeshtat të adresuara në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës.

E, pavarësisht kërkesave, SHSKUK-ja ende nuk ka hapur konkurs për rekrutimin e specialistëve.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në Klinikën e Kardiokirurgjisë janë të angazhuar tetë kardiokirurgë.

Drejtori i kësaj klinike, Shpejtim Shurdhiqi, ka thënë se duhen përforcime për të eliminuar listën e pritjes.

“Në Shërbimin Klinik të Kardiokirurgjisë aktualisht janë të angazhuar 8 specialistë. Duke marrë parasysh zhvillimin e procedurave të reja kardiokirurgjike në veçanti, si dhe avancimin e përgjithshëm të kësaj fushe, në periudhën 1 deri 3-vjeçare është e domosdoshme punësimi i 4–7 kardiokirurgëve të rinj, për të cilët edhe kemi bërë kërkesë. Pavarësisht punës voluminoze dhe operacioneve komplekse që realizohen, kemi një listë pritjeje me kohë mesatare rreth 6 muaj dhe afërsisht 140 raste”, ka thënë Shurdhiqi.

Në këtë klinikë, të paktën në dy vjetët e ardhshme nuk pritet pensionimi i ndonjë mjeku.

Numër të ngjashëm specialistësh ka edhe Klinika e Neurokirurgjisë. Nga kjo klinikë kanë bërë të ditur se në SHSKUK kanë dorëzuar kërkesë për staf të ri si dhe për tre specializantë të rinj.

“Në Klinikën e Neurokirurgjisë aktualisht punojnë 8 neurokirurgë. Po këtë vit pritet të specializojnë 6 specializantë. Sipas referencës së Bashkësisë Evropiane, në kokë banori llogaritet të jenë 1 neurokirurg në 100 mijë banorë që d.m.th. kemi nevojë dhe kërkesë për staf të ri! Gjithashtu është bërë kërkesë edhe për 3 specializantë të rinj! Brenda këtyre 5 vjetëve është dyfishuar numri  i operacioneve neurokirurgjikale! Lista e pritjes ekziston vetëm për Hernit diskale lumbale deri në 3 muaj, ku në pritshmëri të aktivizimit të sallës së dytë permanente kjo listë nuk do të ekzistojë më!, ka thënë Besnik Elshani, drejtor i Neurokirurgjisë.

Kërkesë për shtimin e stafit janë bërë edhe nga Klinika e Onkologjisë.

KOHA pati raportuar më herët se në këtë klinikë janë të angazhuar 13 onkologë dhe pesë specialistë të radioterapisë, ndërsa drejtuesit e saj kanë kërkuar vazhdimisht shtim të personelit profesional.

Mungesë të specialistëve ka edhe në ORL. Në këtë klinikë janë tre specialistë që merren me rastet e komplikuara të laringologjisë dhe trajtimin kirurgjik të gjëndrës tiroide.

Në pyetjen e KOHË-s nëse do të merren parasysh kërkesat e klinikave për shtimin e stafit, nga SHSKUK-ja kanë thënë se të gjitha janë shqyrtuar dhe proceduar sipas kompetencave, por se rekrutimet varen nga pozitat e kërkuara dhe rishikimi i buxhetit.