Prej javësh, Klinika e Kardiologjisë në QKUK ka mungesë të materialeve esenciale për trajtimin e pacientëve me sëmundje të zemrës. Materialet shpenzuese për hapjen e enëve të bllokuara dhe zgjerimin e tyre mungojnë, e si zgjidhje ka gjetur t’i marrë ato nga Spitali i Prizrenit. Njohës të fushës së shëndetësisë vlerësojnë se kjo përbën dështim të menaxhmentit të SHSKUK-së
Materialet shpenzuese për hapjen e enëve të bllokuara të zemrës dhe zgjerimin e tyre mungojnë tash e disa javë në Klinikën e Kardiologjisë.
Ditë më parë, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar ka publikuar materialet që ka në stok, ku figurojnë mbi 1,400 produkte, ndërsa shumica e tyre janë në sasi minimale – nga 1 deri në 10 copë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoE në mungesë të materialeve shpenzuese, nga QKUK-ja kanë thënë se janë duke u furnizuar nga një prej spitaleve rajonale.
“Bazuar në të dhënat e pranuara nga Barnatorja Qendrore ju informojmë se të gjitha kërkesat për porosi të materialit për Klinikën e Kardiologjisë janë lëshuar nga menaxheri i kontratës dhe aktualisht jemi në pritje të liferimit nga ana e Operatorëve Ekonomikë. Ndërkohë, për të siguruar vazhdimësinë e shërbimeve, jemi furnizuar nga Spitali i Prizrenit me një sasi të materialeve të nevojshme, e cila do të mbulojë nevojat deri në furnizimin e rregullt”, thuhet në përgjigjen e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Në një përgjigje për KOHË-n, nga Spitali i Prizrenit kanë bërë të ditur se QKUK-në e kanë furnizuar me stenta, kateterë diagnostikë dhe balona.
“Javën e kaluar është realizuar furnizimi me 231 stenta, 130 kateterë diagnostikë dhe 115 balona. Kjo nuk është praktikë e rregullt, por bëhet në varësi të rasteve, pasi Spitali i Prizrenit është pjesë e SHSKUK-së dhe të gjitha furnizimet realizohen përmes këtij institucioni”, thuhet në përgjigjen nga Spitali i Prizrenit.
Për njohësin e fushës së shëndetësisë, Bujar Vitija, kjo nuk është hera e parë që ShSKUK-ja përdor spitalet rajonale si depo për të mbuluar mungesat në QKUK.
“Në kushte normale supozohej që në Spitalin e Prizrenit të funksiononte plotësisht reparti i kardiologjisë invazive, në të cilin janë investuar diku rreth 2.5 milionë euro nga buxheti i shtetit, por edhe nga donacionet e qeverisë së Luksemburgut, dhe tani këto 2.5 milionë euro po shfrytëzohen për njësinë e kardiologjisë invazive në QKUK. Është fatkeqësi që pacientët e rajonit të Prizrenit nuk po mund t’i marrin shërbimet e kardiologjisë invazive atje, ose po i marrin vetëm një numër i kufizuar atje në Spitalin e Prizrenit, dhe shumica e atyre pacientëve po referohen për në QKUK, ku fatkeqësisht po mungojnë materialet”, ka thënë Vitija.
Sipas gazetarit Vitija, kjo situatë përbën dështim të menaxhmentit të SHSKUK-së dhe se nuk është hera e parë që ky institucion nuk arrin t’i menaxhojë si duhet mungesat e materialeve në klinika.
“ShSKUK e ka përgjegjësinë e plotë të sigurojë materialet në bazë të Listës esenciale dhe të mos ketë vonesa, por tash e disa vite kjo po përsëritet, ku unë mendoj që nuk është e rastësishme, por ShSKUK duhet të gjejë një modalitet për t’i evituar këto vonesa dhe modaliteti më i mirë do të ishte hapja ose inicimi i procedurave tenderuese disa muaj para se të përfundojë kontrata në fuqi”, ka thënë ai..
Po ashtu edhe në Klinikën e Onkologjisë ka barna që mungojnë, ndonëse në raportin për gjendjen në stok të para disa ditëve, SHSKUK-ja nuk i ka prezantuar si mungesa.
Pas raportimit të KOHË-s, nga SHSKUK-ja kanë pranuar se mungojnë ato ilaçe.