Me pluhur e përplot mbeturina janë rrugët e qytetit të Fushë-Kosovës.
Shkak i mospastrimit të tyre, banorët thonë se, është bërë jeta e padurueshme në këtë qytet.
Ata po e akuzojnë ekzekutivin komunal se deri tash asnjëherë nuk është kujdesur për mirëmbajtjen e rrugëve, trotuareve e hapësirave të tjera publike.
“Telashet e rrugës janë pluhuri, mospastrimi i rrugës në përgjithësi, posaçërisht rruga ‘Pajazit Islami’ nuk e di që është fshirë kurrë, s’u pastrua asnjëherë, as s’u la as s’u pastrua”, tha Fatmir Salihu, banor i Fushë-Kosovës.
“Pluhuri që shkaktohet te ne ndikon shumë për të keq, së s’pari dritaren me hap nuk mundemi brenda shtëpive tona për me i ajrosë, domethënë pluhun ka tepër shumë”, tha Adonis Limani, banor i kësaj komune.
Edhe Habib Mekolli nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se kujdesi i Komunës së Fushë-Kosovës për pastrimin e hapësirave publike është zero.
Ai ka theksuar se vitin e kaluar ekzekutivit komunal i kanë tepruar 6.5 milionë euro, por, sipas tij, Komuna nuk ka angazhuar ndonjë kompani për pastrimin e rrugëve.
“Jeta në Fushë-Kosovë fatkeqësisht është e vështirë për qytetarë që jetojnë 24 orë në të, me vetë faktin që mungon kujdesi i Komunës ndaj këtyre hapësirave publike, në këtë rast trotuareve, parkingjeve, rrugëve dhe pastërtisë së tyre”, tha Mekolli.
Zyrtarët komunalë e arsyetojnë mosangazhimin e një kompanie për pastrimin e rrugëve me funksionalizimin e Bordit të OSHP-së.
“Ne dy vjet kemi pasur kërkesë, kemi dorëzuar kërkesë në Ministri për angazhimin e kompanive private për larje të rrugëve, mirëpo për shkak të procedurave dhe mungesës së kuorumit në KRPP dy vjetët e kaluar tenderët tanë ose projektet tona kanë dështuar. Prapë edhe këtë vit kemi planifikuar që nga muaji maj të angazhojmë një kompani të tipit kornizë për larje të rrugëve të Fushë-Kosovës”, tha Maliq Berisha, drejtor për Shërbime Publike dhe Mjedis në Komunën e Fushë-Kosovës.
Opozita në këtë qytet thotë se ka një shkëputje ndërmjet pushtetit komunal dhe qytetarëve. Përderisa thotë se qytetarët i paguajnë tatimet, sipas tyre, Komuna nuk ua kthen ato mjete në investime kapitale.