Arbëri

Qytetarët, të hutuar e në panik, shkaktojnë tollovi në gjithë vendin

Radhë të gjata të qytetarëve janë krijuar para pikave bankare në disa komuna të vendit, një ditë para hyrjes në fuqi të masave të ashpra kundër koronavirusit.

Në Prishtinë, ka pasur qytetarë që kanë tërhequr para më shumë sesa zakonisht, raporton KOHA.

Të tjerë qytetarë janë interesuar për xhirollogaritë e tyre, e disa nga ta kanë kryer pagesa.

Mirëpo, në disa raste në kryeqytet nuk është mbajtur distanca ndërmjet njëri-tjetrit.
Për këtë është dashur edhe ndërhyrja e policisë.

Masa e distancës nuk është respektuar as në Ferizaj, Gjilan e Fushë Kosovë, ku po ashtu pati tollovi para bankave.

Kufizimi i lëvizjes në vetëm 90 minuta brenda 24 orëve, që do të nis nesër së aplikuari, ka shkaktuar huti për disa qytetarë.

Ata ankohen se caktimi i orarit të lëvizjes përmes numrit personal të letërnjoftimeve është i papërshtatshëm për shumë prej tyre.

Mirëpo, Qeveria ka paralajmëruar se renditja e numrave do të ndërrohet çdo javë.
 

Gjatë prezantimit të masave të reja u bë e ditur se qarkullimi i qytetarëve përfundon në ora 22:30. Ndërsa punëtorët që i shërbejnë qytetarëve kanë të drejtë të lëvizin deri në ora 23:00.

Në grupin e fundit hyjnë edhe marketet. E, disa punëtorë të një rrejti marketesh kanë treguar prapa kamerës se u është kërkuar që çdo dy ditë të punojnë nga 16 orë brenda ditës.

Por, Sindikata e Sektorit të Punëtorëve Privat vlerëson se kjo është e papërballueshme për punëtorët, derisa ka paralajmëruar denoncime në Inspektoratin e Punës.

Sindikata ka kërkuar që shkelësit e Ligjit të Punës të sanksionohen dhe të mos kursehen ani se është kohë pandemie.