Luftë të ashpër kishin bërë nga distanca Komuna e Prishtinës e Kuvendi i Kosovës se kush do ta blinte e do ta merrte nën pronësi “Tulltoren” dhe hapësirën rreth saj nga AKP-ja.
Derisa në atë kohë kryetari i atëhershëm i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, synonte që hapësirën ta bënte muze të gjenocidit, Komuna e Prishtinës nën udhëheqjen e Shpend Ahmetit kishte plane të tjera si qendër rekreative sportive.
Komuna kishte fituar dhe kishte marrë pronësinë pasi që pagoi mbi 5 milionë euro për parcelën.
Por tash qeverisja e re, me propozim të kryetarit Përparim Rama , një pjesë të tokës e ka shkëmbyer me familjen Deshishku.
Kuvendi Komunal me 20 vota pro, 12 kundër dhe 2 abstenime ka votuar për dhënien në këmbim të një pjese të parcelës së “Tulltores” me pronën e paluajtshme në pronësi të “Kompania e Re Dardania-Arbëria” SHPK, me pronarë Rizah, Metush, Bekim, Bashkim dhe Artin Deshishku.
Kryetari Përparim Rama e ka arsyetuar këtë shkëmbim duke thënë se është në interes të të dyja palëve.
Kjo ngjalli reagimin e opozitës, e cila kërkoi që të shtyhet ky propozim deri në plotësimin e plotë të tij.
Kërkesa u miratua pas pauzës edhe pse udhëheqësit lokalë nuk e mbajtën premtimin dhe e kaluan pikën pa e definuar se për sa metra katrorë bëhet fjalë.