Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rama: Kurti s’ka kontribut në luftë e as në ndërtimin e shtetit, po mbulohet me propagandë

Përparim Rama Albin Kurti

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mungesën e kontributit në luftën çlirimtare dhe në ndërtimin e institucioneve të Kosovës po mundohet ta mbulojë me propagandë.

Në një shkrim në Facebook të martën, Rama ka shkruar se se Kurti ka “deficit të madh politik dhe personal”, ndërsa shtoi se kryeministri në detyrë përpiqet ta mbulojë këtë mungesë përmes propagandës politike.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Albin Kurti ka deficit të madh politik dhe personal, sepse nuk ka asnjë kontribut as në luftën çlirimtare dhe as në ndërtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës”, deklaroi Rama.

Ai akuzoi Kurtin se në vazhdimësi sulmon figurat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke i quajtur ata “hajna” dhe “kriminelë”, ndërsa ka thënë se po tenton të përfshijë edhe familjet atdhetare në diskursin e fushatës politike.

Sipas Ramës, qeverisja gjashtëvjeçare e Kurtit nuk ka sjellë zhvillim konkret për vendin.

“Për gjashtë vjet në pushtet, e ka zhytur vendin në varfëri dhe stagnim. Pa asnjë projekt madhor, pa zhvillim kapital dhe pa asnjë rezultat konkret. Asnjë. Zero”, u shpreh ai.

Kryetari i Prishtinës shtoi se, në mungesë të rezultateve, Kurti vazhdon të mbështetet në propagandë dhe retorikë politike.

“Të shohim me çfarë do të vendosë ta vazhdojë fushatën: me ndonjë kërcënim për jetë, me ndonjë premtim për mërgatën apo me një tjetër episod patriotik propagandues me Serbinë”, deklaroi Rama.

Në fund, ai i bëri thirrje Kurtit që të ofrojë program, zhvillim dhe mirëqenie për qytetarët, duke shtuar se raportet ndërkombëtare tregojnë, sipas tij, varfërimin e qytetarëve gjatë kësaj periudhe qeverisëse.