Arbëri

Raporti i Progresit: 15-vjeçarët kosovarë, 4.5 vjet prapa atyre evropianë në mësimnxënie

Në seksionin për arsim në Raportin e Progresit për Kosovën thuhet se rezultatet e testit PISA të vitit 2022 kanë treguar që 15-vjeçarët nga Kosova janë për 4.5 vjet prapa bashkëmoshatarëve të tyre në BE, për sa i përket mësimnxënies. Kjo është vetëm një prej gjetjeve për arsimin që është përfshirë në dokumentin e miratuar të martën nga Komisioni Evropian. Aty përmenden edhe përparimi i paktë në edukimin e fëmijërisë së hershme si dhe regresi në arsimin bazik

Edukimi në fëmijërinë e hershme ka shënuar pak përmirësim ndërsa arsimi bazik ka pësuar regres, ka konstatuar Raporti i Progresit për Kosovën, i cili është publikuar të martën.

Bazuar në këtë raport, buxheti për arsimin dhe për kujdesin e hershëm të fëmijëve është rritur për 9 për qind, porse është shënuar rënie prej 4.7 për qind në financimin e arsimit bazik gjatë vitit 2024, krahasuar me një vit më parë.

“Pas zhvillimeve pozitive në arsimin dhe kujdesin e hershëm të fëmijërisë, Ministria e Arsimit ka filluar zbatimin e klasës së detyrueshme parashkollore (fëmijët 5 vjeç) për vitin akademik 2024/2025. Edhe pse Kosova po bën përpjekje për të përmirësuar cilësinë e arsimit bazë/parauniversitar, zbatimi i strategjisë së arsimit të Kosovës për vitet 2022-2026 mbetet prapa. Financimi për arsimin bazë publik vazhdon të ulet, duke rënë me 4.7% nga viti 2023 në vitin 2024”, është thënë në Raportin e Komisionit Evropian (KE) për Kosovën.

Njohësi i çështjeve të arsimit, Xhavit Rexhaj, ka vlerësuar se këto rezultate janë pasojë e drejtpërdrejtë e nivelit të investimeve.

“Prioritetet e një qeverie, një ministrie tregohen me mjetet që vendosen në atë sektor apo nënsektor. Mjetet që janë ngritur për nivelin e edukimin në fëmijërinë e hershme menjëherë kanë treguar një përmirësim në sektor. Rënia e investimeve në shkollim fillor, bien mjetet, bien investimet, bien programet normal që do të shprehet edhe me rënien e nivelit”, ka thënë ai. 

Në Raport thuhet po ashtu se rezultatet e testit PISA të vitit 2022 kanë treguar se 15-vjeçarët në Kosovë janë 4.5 vjet prapa bashkëmoshatarëve të tyre në BE, për sa i përket mësimnxënies.

“Kosova ka marrë pjesë në TALIS 2024. Kosova gjithashtu merr pjesë në PISA 2025. Rezultatet më të fundit të PISA 2022 tregojnë se një nxënës mesatar 15-vjeçar në Kosovë është pothuajse 4.5 vjet mësim prapa bashkëmoshatarëve në BE”, është specifikuar në seksionin e raportit për arsim e kulturë. 

E pas këtij raporti, Rexhaj ka thënë Ministria e Arsimit (MASHTI) duhet që të ndërmarrë hapa konkretë.

“Këtë vit, 2025 është rrit pak investimi në arsim, 4.5, mirë është. Duhet që në 2026 të bëhet 5 për qind. Ky është veprimi i parë që duhet të ndërmerret. E dyta, në vend të planifikimit sa për sy e faqe që po bëhet përmes planit strategjik, të bëhen programe konkrete për nënsektorët ose për segmente të arsimit. Për shembull, program për reformimin e shkollës”, ka theksuar Rexhaj.

Në Raportin e Progresit theksohet po ashtu pjesëmarrja e ulët në shkollimin e fëmijëve romë, ashkalinj dhe egjiptianë. Sipas dokumentit, vetëm 31 për qind e tyre arrijnë arsimin e mesëm të lartë krahasuar me 87 për qind, sa është mesatarja në të gjithë vendin.