Arbëri

Reflektorë e ledë pranë semaforëve që tërheqin vëmendjen e këmbësorëve

Përdorimi i telefonave të mençur është bërë i pashmangshëm.

Ata përdoren në çdo kohë, madje edhe gjatë ngasjes apo ecjes në rrugë.

Ndodh shpeshherë që njerëzit të afrohen afër vendkalimeve dhe fokusimin ta kenë te telefonat e jo te sinjalistika në rrugë.

Për këtë, Komuna e Prishtinës ka ndërmarrë një ndryshim, duke vendosur sinjalistikën edhe në trotuar pranë zebrave, në kuadër të projekteve për sigurinë në trafik.

Përmes disa reflektorëve me ngjyrë të kuqe, këmbësorët mund ta dallojnë edhe në tokë se nuk iu lejohet kalimi.

Këtë gjë po e shohin si shumë të mirë qytetarët.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu, thotë se ky projekt do të realizohet në 18 udhëkryqe të Prishtinës dhe ka koston prej 1500 eurosh për çdo udhëkryq.

“Janë laserët që në të njëjtën kohë kanë të bëjnë me sigurinë e këmbësorëve, e gjithashtu edhe në sigurinë e pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion. Duke ditur se teknologjia e ka bërë të veten dhe telefonat e mençur po përdoren shumë nga qytetarët, andaj edhe një shenjë ekstra e sinjalistikës, më e veçantë, me qëllim që me iu ofrua siguri këmbësorëve dhe me i njoftua që është drita e kuqe në vendkalim”, tha Musliu.

Në kuadër të projektit të sinjalistikës dhe shenjëzimit, Prishtina ka filluar edhe me vendosjen e ledëve pranë vendkalimeve.

“Ledët që do të vendosen në zebra/vendkalime, do të vendosen në tokë, për t’i paralajmëruar shoferët se kemi të bëjmë me një vendkalim e duhet të kenë kujdes. Me prioritet e kemi trajtuar ‘Kodrën e Trimave’ pasi ka pasur ankesa ndër vite, nuk ka pasur sinjalistikë dhe shënjezim fare, nuk ka pasur pengesa në rrugë, dhe ju e dini se ka pasur aksidente me fatalitet shpesh, prandaj ne e kemi trajtuar si prioritet në aspektin e sigurisë këtë lagje”, tha Musliu.

Ky projekt do të përfshijë edhe vendosjen e paneleve ndriçuese mbi vendkalime.