Renovimi i repartit të hemodializës në QKUK ka mbetur i bllokuar në procedura prokurimi shkaku i ankesave në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Njohës të fushës thonë se zvarritja lidhet me përzgjedhjen e ofertave më të shtrenjta
Projekti për renovimin e repartit të hemodializës në Qendrën Klinike e Universitare të Kosovës (QKUK), ende është në pritje ndonëse ishte planifikuar të realizohej sipas standardeve të Komisionit Evropian dhe Organizatës Ndërkombëtare për Standardizim.
Prej më shumë se një viti, procesi i tenderimit ka ngecur, edhe pse tashmë është shpallur fituesi i kontratës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSi pasojë e ankesës së kompanisë “Limit Project”, që për herë të dytë i është drejtuar Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), duke kontestuar përmbushjen e kritereve nga operatori ekonomik i shpallur fitues, është bllokuar puna.
“Si rrjedhojë, dyshojmë se operatori i rekomanduar mund të mos ketë dëshmuar përvojën e kërkuar sipas kërkesave të parashtruara në dosjen e tenderit, konkretisht për kontratat e punëve të ngjashme gjatë tri viteve të fundit, me vlerë minimale 1,050,000.00 €, ku lideri duhet të ketë të paktën 60% të shumës së kërkuar”, thuhet në ankesën e operatorit “Limit Project”, drejtuar OSHP-së.
Nga QKUK këto pretendime janë vlerësuar si të pasakta dhe të pabazuara.
“Operatori Ekonomik Ankues aludon se është rekomanduar për kontrate një Grup i Operatorëve Ekonomik, pa dhënë asnjë fakt konkret përveç fjalisë: ‘pas shqyrtimit te dokumentacionit të GOE dyshojmë se nuk e plotëson kërkesat sipas FTD-së’. Operatori Ekonomik i rekomanduar për kontrate nuk ka ofertuar fare ne grup”, thuhet në përgjigjen e Qendra Klinike e Universitare të Kosovës.
E sipas gazetarit Bujar Vitija, që mbulon fushën e shëndetësisë, ngecja e procesit lidhet me faktin se është përzgjedhur një ofertë më e shtrenjtë, ndonëse kanë ekzistuar oferta më të ulëta.
“Problemi qëndron këtu sepse është rekomanduar oferta më e shtrenjtë për kontratë, ndërkohë që QKUK ka pasur në dispozicion edhe oferta më të lira. Këtu qëndron problemi edhe te procedurat tjera, përkatësisht për renovime të cilat kontraktohen me operatorë ekonomikë me oferta më të shtrenjta, dhe kjo nuk ndodh vetëm në QKUK, por edhe në SHSKUK dhe në MSH. Konsideroj që këto institucione duhet të kujdesen më shumë kur është fjala për operatorin ekonomik me ofertën më të shtrenjtë”, ka thënë ai.
KOHA ka dërguar pyetje në QKUK edhe lidhur me nevojën për fillimin e renovimit, por nuk ka marrë përgjigje.
Kohë më parë, nga drejtoria e Klinikës së Nefrologjisë patën deklaruar se për shkak të ndërtimit të objektit të ri, tri salla janë jashtë funksionit.
Për shkak të mungesës së hapësirave, një pjesë e pacientëve marrin shërbime në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kodrën e Trimave.
Gazetari Vitija, vlerëson se renovimi mbetet i domosdoshëm dhe urgjent, duke marrë parasysh kushtet dhe kohën që pacientët me dializë kalojnë në trajtim.
“Konsideroj që është urgjente, sepse e dimë që pacientët në dializë kalojnë nga 4 orë në ditë, tri herë në javë, duke e kryer procedurën e dializës. Kjo është një periudhë mjaft e gjatë e jetës së këtyre pacientëve, të cilët e kalojnë në hapësirat e spitalit. Përveç ankesave për shtretër që nuk ishin të përshtatshëm, po ashtu duhet të sigurohen hapësira komode dhe mikpritëse, në mënyrë që kjo periudhë e jetës së tyre të kalohet sa më lehtë”, ka thënë Vitija.
Për projektin e ngecur, kanë ofertuar gjashtë kompani. Operator fitues është shpallur kompania me ofertë 706 mijë euro, ndërsa oferta më e ulët ishte ajo me 646 mijë euro.