Xhavit Rexhaj, ekspert i arsimit, ka thënë se shumë gjëra kanë dështuar në arsim, derisa ka folur për rastin e ndodhur në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë ku një mësimdhënës është përfshirë në konflikt fizik me një nxënës të shkollës.
Ai ka thënë se që nga familja, rrethi shoqëror, shkolla e shteti kanë dështuar në këtë rast.
“Kjo që ka ndodhur ka ndodhur edhe më herët, do të ndodhë edhe më vonë nëse nuk merremi me shkaqet pse ka ndodhur kjo situatë. Nëse e merr situatën më thellë duke identifikuar problemet, duke menduar për parandalim, atëherë mësuesit dhe fëmijët janë viktima këtu, janë të rrezikuar. Ngarendja pas problemeve pasi që po ndodhin është bërë një veçori e shoqërisë sonë dhe nuk do duhej të ishte kështu”, ka thënë ai në “60 Minuta”.
Rexhaj ka theksuar se shkolla si institucion është lënë vetëm në Kosovë, pa ndihmë e mbrojtje nga shteti.
“Është problem shoqëror dhe shtetëror. Një fëmijë ka disa rrathë koncentrikë prej të cilave ndikohet dhe formohet, familja, rrethi, shkolla dhe shteti. Të gjitha këto kanë dështuar këtu, kjo ka qenë e ditur se do të ndodhë dhe do të na ndodhin. Në arsim shkolla është lënë vet të merret me probleme shumë të mëdha të zhvillimit të rinisë dhe të zhvillimeve shoqërore dhe teknologjike, shkolla është lënë vetë e pandihmuar”, u shpreh ai.
Rexhaj ka shtuar se arsimi në Kosovë në mënyrë të gabueshme menaxhohet dhe zhvillohet.
“Mësimdhënësit, shkolla, drejtorët i janë lënë vetvetes, nuk merret kush me ta. Në mënyrë të gabueshme menaxhohet, përdoret, zhvillohet arsimi në Kosovë. Arsimin duhet me mjete të nxjerra nga komuna të paguajë për to komuna pastaj punëso sa të duash, e jo me para të gatshme prej shtetit të punësohen militantë”, përfundoi Rexhaj.