Profesori dhe eksperti i arsimit, Xhavit Rexhaj, ka thënë se në një shtet “normal” më 1 qershor bisedohet për të drejtat e fëmijëve dhe mirëqenien e tyre, mirëpo teksa po i nënshtrohemi ciklit të pestë të zgjedhjeve, atëherë në Kosovë duhet të flasim se si fëmijët të mbahen larg fushatës zgjedhore.
Në tubimin zgjedhor të Lëvizjes Vetëvendosje në Vushtrri, një vajzë e mitur ka recituar një poezi në të cilën mallkonte partitë opozitare. Kjo paraqitje e saj dhe duartrokitja nga kryetari i LVV-së, Albin Kurti, ka nxitur shumë reagime.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoProfesori Rexhaj në emisionin “60 Minuta” në KTV, ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe organet e tjera që të mos lejohet politizimi i arsimit.
“Partitë politike duhet të merren me politikë dhe jo me përdorim të fëmijëve për qëllime të veta. Është politikë e mbrapshtë. Gjithçka që është politizim i arsimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe organet e tjera duhet të punojnë që ta mënjanojnë sepse shumë na ka dëmtuar”, ka thënë Rexhaj.
Rexhaj ka komentuar edhe programin qeverisës të partive politike, konkretisht në fushën e arsimit. Ai ka thënë se është shqetësuese se si në këto zgjedhje, nuk ka asgjë konkrete për përmirësimin e cilësisë së arsimit.
“Me frikë të madhe e kam përcjellë deri tani fushatën në fushën e arsimit. Jam relativisht i brengosur sepse po tingëllon vetëm si një mësim i mësuar përmendësh dhe jo si preokupim i partive politike në tërësi. Po e shoh si disa formula të mësuara përmendësh, kurrikula, cilësia, infrastruktura në fëmijërinë e hershme, por, po i shoh se nuk e kanë përnjëmend dhe po më brengos shumë sepse në zgjedhjet e përparme së paku kishte seriozitet, flisnin nga programet dhe i dedikoheshin arsimit në mënyrë të hollësishme”, ka deklaruar Rexhaj.
Ai ka thënë se është e çuditshme sepse profesionistët në këtë fushë nuk iu mungojnë mirëpo ata nuk po dëgjohen. Rexha ka thënë se edhe kur flasin për kurrikulën “vërehet se nuk e kuptojnë kurrikulën”.
Sipas ekspertit të arsimit, duket se krerët e partive politike nuk premtojnë në arsim sepse rezultati në këtë fushë nuk mund të vërehet menjëherë dhe rrjedhimisht nuk sjellin as votë.
Megjithatë sa i përket cilësisë së arsimit në Kosovë, Rexhaj është shprehur se arsimit të lartë i është dhënë e mbara tash e disa vite, vetëm se kërkon kohë të shihen rezultatet. Është shprehur edhe që politizimi i arsimit nuk është siç ka qenë.
“Niveli i politizimit të arsimit ka rënë relativisht mirëpo duhet të punohet shumë më fuqishëm dhe të gjitha partitë politike të heqin dorë nga arsimi sepse mjaft e kanë ‘ndrydhë’. Siç e shihni numri i nxënësve po bie çdo vit nga 3%, numri i mësimdhënësve po mbetet stabil. Këto veç e tregojnë atë. Për gjithçka duhet program, një analizë e mirë e pastaj ka zgjidhje”, ka deklaruar në emisionin “60 Minuta” në KTV, profesori dhe eksperti i arsimit, Xhavit Rexhaj.
Në kudër të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme nacionale të 7 qershorit, partitë politike në përgjithësi kanë premtuar investim në arsim. Është premtuar ndërtim i çerdheve, e investim i madh në mësimin tërëditor në të gjithë Kosovën.