KOHA nga sot ka lansuar një platformë përmes së cilës i fton lexuesit dhe u jep mundësi që ta përkrahin gazetarinë e pavarur, profesionale e të besueshme.
Kryeredaktorja e KOHËS, Brikenda Rexhepi, ka sqaruar se modeli i përkrahjes nga publiku nuk është risi, por praktikë e dëshmuar ndër vite nga media tradicionale në botë, të cilat janë përballur me sfida si transformimet digjitale dhe zhvendosja e tregut të reklamave.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Nuk është një model që e kemi shpikur ne, është model që mediat tradicionale në botë kanë filluar ta aplikojnë mbase para më shumë se 10 vjet duke u ballafaquar me sfida që lidhen me platformat e mëdha digjitale dhe lëvizjen e reklamës. Kur them media tradicionale kam fjalën për mediat që janë të regjistruara si biznese, nuk janë organizata të shoqërisë civile që e kanë çdo herë një derë të përfitimit ose të mbështetjes nga donatorë të ndryshëm. Duke qenë biznes, duke u ballafaquar me sfidat e platformave, sfidat e një konkurrence të padrejtë në treg bëhet mjaft e vështirë që, nuk po them të mbijetosh sepse ne mbijetojmë, por që ta mbash hapin edhe me sasi po aq sa me cilësi. Çdo herë kur ka sfida të tilla pëson sasia, cilësia jo. Mund të mbetet krejt pak, por është cilësore. Ne e vlerësojmë se shoqëria jonë, ky vend, ka nevojë edhe për sasi më shumë se aq sa bëjmë andaj jemi drejtuar publikut, lexuesit tonë, shoqërisë që të na përkrahë në këtë mision”, ka thënë ajo.
Sipas Rexhepit, përballë një tregu gjithnjë e më sfidues ruajtja e cilësisë mbetet prioritet, duke theksuar tutje se rritja e volumit të përmbajtjeve kërkon mbështetje shtesë. Ajo ka theksuar se përfshirja e lexuesve shihet si hap i natyrshëm për ta fuqizuar misionin informues të medias.
Rexhepi ka sqaruar se platforma nuk kufizon qasjen në përmbajtje për askënd, derisa ka thënë se reagimi fillestar i publikut ka qenë inkurajues.
“Kjo nuk është mur ku ti paguan që të lexosh, KOHA përmbajtjen e vet do ta ketë të hapur për të gjithë, nuk është marketing në kuptimin që të paguaj për një shërbim, është një ftesë për t’u bërë pjesë e jona në përpjekjet për të qenë më të mirë dhe më shumë se aq që ofrojmë. Ne sot e lansuam, nuk është se nuk e kemi diskutuar. Jemi të kënaqur që ka njerëz që janë mjaft të interesuar, ka njerëz që na u kanë drejtu që kanë thënë se më në fund po kemi dëshirë t’ju ndihmojmë ju dhe vetes tonë”, ka deklaruar ajo.
Ndërkohë, Rexhepi ka vlerësuar se 18 vjet pas shpalljes së Pavarësisë, Kosova karakterizohet nga protestat dhe pasiguritë rreth zhvillimeve në Gjykatën Speciale, ndërsa theksoi se Kosova ka dështuar të ndërtojë një arkiv të plotë të krimeve dhe viktimave të luftës.
Ajo ka thënë se zhvillimet politike dhe proceset gjyqësore në Hagë duket sikur kanë lënë në hije kontekstin historik të luftës dhe sakrificën e qytetarëve.
“Këtë përvjetor e ka karakterizuar më shumë protesta, zhvillimet në Gjykatën Speciale në Hagë, pritjet se çka do të ndodhë, një lloj rikthimi i një narrative që ne e kemi humbur dhe që lidhet me atë si Kosova ka qenë viktimë e nuk ka qenë agresor, si Kosova ka humbur shumë gjatë luftës dhe një narrativë që sapo përfundoi lufta pothuajse e harruan të gjithë ata që e përfaqësonin Kosovën qoftë në botë, qoftë gjithë proceset e stërzgjatura në Bruksel. Kosova e humbi kontekstin e vet, është për keqardhje, shpresoj se do mbushemi mend. Kosova ende sot nuk e ka një arkiv të krimeve që kanë ndodhur, të emrave të njerëzve që janë vrarë, të zhdukurve., të dëmeve materiale. Është për keqardhje që tani 27 vjet pas luftës ne si shtet i ri dhe 18 vjet pas shpalljes së pavarësisë ende nuk e kemi një vend ku mund t’i shohim, ta kemi një pasqyrë të qartë të të gjitha atyre humbjeve, sakrifice që e kanë bërë qytetarët e Kosovës, njerëzit e zakonshëm, ushtarët e UÇK-së. I mbesim borxh shumë”, është shprehur ajo.
Rexhepi, ka folur mbi raportimin e mediave në momente historike, veçanërisht atë të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.
Në KTV ajo ka treguar mbi raportimet, që zgjatën nga mëngjesi e deri natën vonë, por edhe për festën e gazetarëve atë ditë.
Ajo veçon një moment si më interesant të asaj dite: fjalia e parë që do ta niste artikullin për ditën historike.
“Kur erdhi puna që ta shkruajmë tekstin, ishte shumë interesant se e diskutonim redaktorët, si ta shkruajmë fjalinë e parë. Ishte shumë interesant dhe e madhe sfida si ta shkruajmë fjalinë e parë, që ta thuash ‘Kosova shpalli Pavarësinë’. Ka qenë një energji shumë e madhe, festë e madhe, mbase gazetarët çdoherë duhet të jenë objektivë dhe duhet të jenë të vetëpërmbajtur por në këtë rast ka pasur shumë emocion, nuk kemi mundur ta bëjmë aq lehtë atë dallimin e objektivitetit ndaj një ngjarje”, ka treguar ajo.