Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rezultati i LDK-së përfundon në përplasje të brendshme

Lumir Abdixhiku dhe Vjosa Osmani

Rritje apo stagnim. Rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit ka nxitur diskutim e përplasje të brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës, të çimentuar si forca e tretë politike tash e sa vjet.

LDK-ja mori 16.69 për qind apo 18 ulëse në Kuvend. Rezultati paraqet rritje prej tri ulësesh në Kuvend në raport me zgjedhjet e 28 dhjetorit. Listës së LDK-së i priu ish-presidentja Vjosa Osmani. Kjo parti nga dhjetori shtoi më pak se 10 mijë vota në raport me zgjedhjet e shkuara.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Menjëherë pasi u konfirmua se numërimi i votave nuk ndryshoi fort ekuilibrat në Kuvend, disa figura të njohura të kësaj partie kanë bërë thirrje për reflektim të brendshëm.

I rikthyeri si deputet, Arben Gashi, kërkoi zgjedhje të brendshme në parti.

“Prandaj, krahas domosdoshmërisë që vendi të ketë sa më shpejt institucione të qëndrueshme dhe funksionale, ne kemi edhe një detyrë tjetër të madhe: të merremi me veten. Të merremi me LDK-në. Me LDK-në tuaj. Është koha që LDK-ja të hapë një proces të ri zgjedhor të brendshëm, demokratik, transparent dhe gjithëpërfshirës. Një proces që bashkon, jo që përjashton. Që prodhon besim, jo ndarje. Që nxjerr në pah vlerat dhe energjinë më të mirë të partisë sonë”, ka shkruar Gashi në Facebook.

E ish-kryeministri nga LDK-ja, Avdullah Hoti, ka thënë se rezultati tregon që partia “s’mund të jetë peng i interesave personale”.

Më direkt në kritikë u shpreh ish-nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu. Ai vuri gishtin e fajit për rezultatin tek Osmani dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Të dy i akuzoi për “projekt politik të nisur me hile”. Veliu, që zgjedhjeve të shkuara nuk ishte përfshirë në listë e për ato të 7 qershorit refuzoi rikthimin, ka thënë se ndryshimet në LDK duhet të nisin “nga maja e saj”.

“Ajo ringrihet duke analizuar gabimet, duke rikthyer demokracinë e brendshme dhe duke vendosur standarde të qarta të llogaridhënies. Nëse LDK-ja dëshiron të rikthejë besimin e humbur, ndryshimi duhet të fillojë nga maja e saj. Sepse partitë nuk dobësohen nga humbjet zgjedhore, por nga refuzimi për të nxjerrë mësime prej tyre. LDK duhet t'i kthehet LDK-së dhe LDK-istëve të saj. Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës!” – ka shkruar Veliu.

Pas mbylljes së numërimit, pati edhe zëra që kritikuan kritikët.

“Interesante se si, për tri palë zgjedhje radhazi, sapo përfundon procesi zgjedhor, më të zëshmit bëhen pikërisht ata që nuk i sheh askund gjatë fushatës. Nuk i sheh në terren, nuk i sheh në organizim, nuk i sheh në asnjë betejë politike. Përkundrazi, i dëgjoje nëpër qoshe duke folur me më shumë pesimizëm për LDK-në sesa vetë kundërshtarët tanë. Kontributi i tyre në betejë, në rastin më të mirë, ishte zero, por ambicia për të dhënë leksione pas rezultatit është gjithmonë maksimale”, ka shkruar deputeti i rizgjedhur Paris Guri.

Ndërkaq ish-deputeti Alban Zogaj e cilësoi të pakuptimtë “ngutinë” për zgjedhje të reja.

“Pas çdo procesi zgjedhor është normale të ketë analiza, reflektim dhe mendime të ndryshme. Kjo është e shëndetshme dhe i bën mirë çdo partie demokratike. Por, ajo që nuk po kuptoj aktualisht është ngutia e disave me deklarata te kota, kur vetëm tre muaj më parë LDK mbajti Kuvendin e Jashtëzakonshëm, ku u votua qartë për drejtimin e partisë. Për më tepër, vitin e ardhshëm i kemi zgjedhjet e rregullta të brendshme, ku secili që ka ambicie, ide apo vizion tjetër, e ka derën e hapur të kandidojë dhe ta kërkojë besimin e anëtarësisë. Kjo është demokracia që e kemi ndërtuar ndër vite”, ka shkruar ai në Facebook.

Të dy vlerësuan se LDK-ja është rritur.

E kryetari Abdixhiku duke reaguar pas “debatit” ka thënë se strukturat e partisë “nuk bien pre e propagandës anti-LDK”.

“Strukturat e LDK-së janë të mençura, të pjekura dhe, mbi të gjitha, të qarta. Nuk bien pre e propagandës anti LDK tashmë të zakonshme e bajate; e as nuk ngatërrohen në identifikimin e oportunistëve politik, po aq të zakonshëm e të parashikueshëm. E dinë mirë çfarë përfaqësojnë dhe për çfarë angazhohen. Mbi të gjitha, nuk lejojnë që mundi e puna e tyre e përditshme të shpërdorohen e rezultatet t’u injorohen. Janë falënderues. E kur ke njerëz të tillë pas vetes, është e lehtë t’i përfaqësosh me dinjitet e respekt. Në Shtime, në një tjetër takim falënderimi me strukturat tona. Sa i qartë është mesazhi nga këto takime”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook të enjten.

LDK-ja dhe AAK-ja ishin të vetmet parti që rritën numrin e deputetëve. LDK-ja në zgjedhje kandidoi me Osmanin që u rikthye si prijëse e listës. Ajo u prezantua si kandidate për presidente. Osmani ishte presidente prej 2021-s, por dështoi të merrte mbështetjen e VV-së në Kuvend për mandat të dytë dhe dështimi që Kuvendi ta zgjedhje një president të ri, çoi në zgjedhje të reja parlamentare.

Osmani ka thënë se emri i saj nuk do të jetë pengesë për konstituimin e institucioneve.

Ndërsa menjëherë pas ditës së votimit, Abdixhiku e pati cilësuar çështjen e presidentit dhe Osmanit në këtë aspekt, si pikënisje të diskutimeve për institucionet e reja. E Osmani pati thënë se VV-ja s’ka asnjë arsye për të mos e zgjedhur presidente.

Abdixhiku i pati mbijetuar votëbesimit si kryetar i LDK-së në fund të janarit pas dështimit në zgjedhjet e dhjetorit.

Abdixhiku është kryetar i LDK-së që prej vitit 2021.