Arbëri

Rishikimi i rregullores së parkingjeve parasheh rritje çmimesh

Zhurmë e madhe u krijua me fillimin e operimit të “Prishtina Parking” nëpër lagjet e Prishtinës.

Banorët e “Lakërishtës” ishin ata të cilët përmes protestave kundërshtuan fuqishëm shtrirjen e kësaj ndërmarrjeje në lagjen e tyre.

Për shkak të ankesave të shumta, kryetari Përparim Rama vendosi rishikimin e rregullores së “Prishtina Parking” përmes një grupi punues, i cili tani thuhet se është drejt finalizimit.

Rregullorja e tanishme pritet të ketë disa ndryshime në pikat ku edhe kishte më së shumti ankesa të qytetarëve.

Drejtori i Inspektoratit, Florian Dushi, thotë se pritet të ketë ngritje të çmimit të parkingut në zonën “Qendër”, në zonën e parkingjeve komerciale.

“Ka ide që në zonën ‘Qendër’ të ngrihen akoma më shumë, duke menduar që në këtë formë përveçse do të siguronim më shumë vendparkingje, po ashtu do të shtynim apo do të largonim numrin e madh të veturave nga zona e kryeqytetit”, tha Dushi.

Një ndryshim tjetër do të jetë edhe zgjatja e orarit të punës së punëtorëve të “Prishtina Parking”, të cilët aktualisht operojnë deri në orën 19:00.

“Janë korrigjuar një numër i madh i çështjeve, është menduar pak më shumë për banorët/rezidentët, të cilët janë ankuar shumë herë se edhe pse po paguajnë nuk po gjejnë vend, prandaj është menduar që në zona të caktuar të kemi shfrytëzimin e parkingut që pas orës 7 të shfrytëzohet vetëm nga banorët, pra të jetë vetëm për rezidentët e jo komercialët. Ka qenë kërkesë e banorëve në disa zona, sepse ‘Prishtina Parking’ operon deri në orën 19:00 dhe pas kësaj ore u janë zënë vendet rezidentëve dhe tash ky orar do të zgjatet deri në orën 24:00, pra nuk do të ketë mundësi që pas orës 24, kur tërhiqen bizneset apo qytetarët e tjerë të bllokojnë për një periudhë më të gjatë vendparkingjet e banorëve, por thjesht do të mbeten deri në orën 24, do të mund t’i shfrytëzojnë për dy orë, por jo për një periudhë më të gjatë kohore, për shembull deri në mëngjes”, tha Dushi.

Dushi ka folur edhe për vendosjen e laurave, të cilat me rregulloren e tanishme nuk lejohet vendosja e tyre.

“Me rregulloren e vjetër nuk ka qenë e lejuar vendosja e laurave, ndërsa ndërmarrja i ka vendosur. Ne si drejtori kemi reaguar disa herë për këtë. Me rregulloren e re e kemi paraparë mundësinë e vendosjes së laurave në vendet e caktuara, aty ku edhe i kërkojnë banorët. Është politikë e kryetarit Rama t’i ikim sa më shumë vendosjes së laurave, sepse paraqiten si lloj kufizimi në zonat ku ata banojnë. Prandaj, është lënë vetëm si kërkesë nga qytetarët, në raste shumë të rralla”, tha Dushi.

Drejtori i Inspektoratit ka theksuar se asnjë lagje nuk do përjashtohet nga shtrirja e “Prishtina Parking”.

Përderisa ka disa prej banorëve që e shohin si gjë të mirë shtrirjen e “Prishtina Parking”, ka edhe prej atyre që vazhdojnë të kenë problem me parkimin e veturave, megjithëse për këtë paguajnë rregullisht.

Me rregulloren e re parashihet që edhe bizneset që operojnë nëpër lagje krahas banorëve rezidentë të sigurojnë hapësira të parkingut.