Nën organizimin e Komunës së Podujevë dhe shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, në Ditën e Dëshmorëve në këtë komunë, të premten është bërë rivarrimi i pesë dëshmorëve të rënë në periudha të ndryshme. Në këtë ceremoni ku morën pjesë figura të luftës çlirimtare, veprimtarë të çështjes kombëtare, përfaqësues të institucioneve, garda e FSK-së dhe familje të dëshmorëve, janë rivarrosur Fadil Talla, Haki Rekaliu, Hasan Veliu, Shaban Behrami dhe Rasim Zeka.
Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, ka folur për rolin e UÇK-së për lirinë e Kosovës. Ai nderoi edhe dëshmorët që ranë në luftën për liri.
“Si përfaqësues të institucioneve e si qytetarë të Kosovës obligohemi shumë para gjithë atyre dëshmorëve e martirëve që sakrifikuan jetën e tyre për lirinë e atdheut, duke u udhëzuar për punë të mira në shërbim të qytetarëve dhe interesave kombëtare”, është shprehur Bulliqi.
Fjalë rasti në këtë ceremoni kanë mbajtur edhe gjenerali Kadri Kastrati dhe përfaqësues të shoqatave të luftës në nivel qendror dhe lokal.
5 Maji, Dita e Dëshmorëve në Komunën e Podujevës ka nisur me homazhe para shtatoreve të heronjve në Bulevardin e qytetit dhe sheshin “Ali Ajeti” dhe në komplekset memoriale në Orllan, Lladovc e Penuhë. Po ashtu në sheshin e qytetit është hapur një ekspozitë me fotografi të dëshmorëve dhe po ashtu është zhvilluar një aksion për dhurimin e gjakut.