Të gjithë që kalojnë kah rrethi me flamur bëjnë kujdes të shtuar kur ecin. Disa edhe po pengohen nga kalldrëmi i shtuar.
Trotuaret këtu kanë qenë të shtruara me kubëza, por ato po zëvendësohen me kalldrëm, i cili nuk është vendosur si duhet.
“Po na paraqet vështirësi në të ecur, sepse nëse rrëzohem mund edhe të lëndohem në këtë trotuar, sepse unë jam edhe i moshuar. Mirëpo, ne nuk kemi çfarë të bëjmë, ata që e kanë filluar në këtë mënyrë punimet e dinë, unë nuk e di. As nuk po më pëlqen e kanë lënë një pjesë ndryshe pjesën tjetër ndryshe”, ka thënë qytetari Isuf Isufi.
Drejtori i Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu, e ka pranuar që punimet nuk janë zhvilluar në formën e duhur. Duke shtuar se janë duke u bërë përmirësime dhe se trotuari që është duke u shtruar do të përdoret vetëm për dekorim dhe jo për kalim të këmbësoreve.
“Është e vërtetë që tani jo në formën më të mirë të mundshme po bëhet kalimi i këmbësorëve në këtë pjesë. Mirëpo, po besoj që shumë shpejt shtrohet edhe shiriti tjetër që është komplet për lëvizshmëri. Në konsultim me inxhinierët e ndërtimit dhe komunikacionit është planifikuar një projekt i tillë, momentin që janë inspektuar dhe është bërë kontrolli, punimet nuk janë pranuar. Brenda shtatë ditësh do të bëhen rregullimet, në momentin që nuk pranohen prapë përmirësimet që jemi duke i bërë tani duhet të intervenohet deri të vijmë deri te kualiteti i mirë. Ka mundësi që të ketë edhe penalitete pastaj”, ka thënë ai.
“Këto janë pjesa e parë e punimeve, po flasim për këtë trotuarin që po shihet e i cili është i shtruar me kalldrëm natyral, as i fabrikuar as i përpunuar por është natyral. Por i cili nuk do të shfrytëzohet për kalim të njerëzve. Pjesa tjetër në një hapësirë prej dy metrave do të shtrohet me pllakën e njëjtë të formatit me të cilin kemi punuar te parku. Në të njëjtën kohë do të vendoset edhe një rrethojë këtu, dhe e fundit që do të implementohet do të jetë sinjalistika dhe shenjëzimi për arsye të aksidenteve”, ka shtuar Musliu.
Fajtorë që puna nuk po bëhet mirë, sipas opozitës është Komuna dhe organi mbikëqyrës.
“Siç po shihet, ideja ka qenë e mirë, mirëpo puna nuk është duke u bërë në mënyrën e duhur. Duke e pasur parasysh që ky vend ka shumë qarkullim, unë mendoj që duhet këtu patjetër që të intervenohet dhe të sanohen problemet. Ndoshta është një metodë e tyre që punimet të kryhen shpejt dhe po i lënë në këto formë të keqe. Këtu fajtori është organi mbikëqyrës dhe komuna që e kanë pranuar teknikisht në këtë mënyrë, sepse kjo nuk ka kuptim. Të gjitha skajoret janë keq, pusetat janë keq gjithçka është e punuar në mënyrë jo të rregullt”, ka thënë asamblisti i AAK-së, Bahri Gashi.
Punimet për shtrimin me kalldrëm të asaj pjese ka filluar qe një javë kurse i gjithë projekti sipas Komunës pritet të përfundojë në 90 ditë pune.