Arbëri

Rrustemi: Kushtetuesja i ka kapërcyer kompetencat e saj, ka kontradikta brenda aktgjykimit

adnan rrustemi

Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se Gjykata Kushtetuese ka tejkaluar juridiksionin e saj në aktvendimin e publikuar sot.

Ka thënë se kur cenon parimin e ndarjes së pushteteve, përben edhe cenim të sistemit demokratik.

Rrustemi ka thënë se Kushtetuesja nuk mund ta justifikojë me asgjë kalimin e kompetencave të saj.

“Aktgjykimi i sotëm ka kontradikta të shumta me aktgjykimin e para dy muajve. Kemi tri aktgjykime të Kushtetueses sa i përket konstituimit të Kuvendit. Ajo sot po i konteston rregullat që i kishte nxjerr në vitin 2014. Brenda më pak se dy muajsh ka nxjerr dy konstatime të kundërta me njëra-tjetrën”, ka thënë ai.

Rrustemi ka thënë se Kushtetuesja ka konstatuar se votimi i mbyllur nuk është në kundërshtim me Kushtetutën nëse bëhet me konsensus.

Ka shtuar se Kushtetuesja ka vendosur rregulla të reja dhe sipas tij paraqet rrezik për të ardhmen.

“Sërish Kushtetuesja nuk i tregon pasojat juridike nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda 30 ditëve”, ka thënë ai.

Ka deklaruar se kriza nuk është juridike por politike.

“Grupi parlamentar do të mblidhet dhe do të diskutojë për hapat tutje. Haxhiu nuk e ka propozuar vetën, ka qenë propozim i grupit parlamentar”, ka thënë ai i pyetur nëse do ta propozojnë sërish Albulena Haxhiun për kryekuvendare.