Arbëri

Rubin për marrëveshjen e demilitarizimit: Britanikët dhe NATO kërkuan që të nënshkruhej nga Thaçi

James Rubin

Dëshmitari James Rubin tha se dokumenti i marrëveshjes së demilitarizimit, i nënshkruar në qershor të 1999-ës ishte përgatitur të nënshkruhej nga dikush tjetër. Sipas tij, britanikët dhe NATO-ja kërkuan që të firmosej ky dokument nga Hashim Thaçi.

“Dokumenti ishte përgatitur që të nënshkruhej prej një personi tjetër. Ka qenë një dokument që është përgatitur për dikë tjetër përpara se të vija unë dhe Thaçi atje. Britanikët dhe NATO thanë që jo, duhej ta firmoste Thaçi. Mua ma merr mendja se këtë do ta nënshkruante Agim Çeku”, tha ai, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Kjo deklaratë e dëshmitarit erdhi kur ai u pyet se pse në dokumentin e marrëveshjes të demilitarizimit, poshtë emrit të Thaçit shkruhej “komandant i UÇK-së”.

Rubin deklaroi se dokumenti ishte përgatitur që të nënshkruhej nga komandanti i UÇK-së, por që britanikët dhe NATO thanë që duhej ta firmoste Thaçi këtë.

Rubin theksoi se ia merrte mendja se marrëveshja do të nënshkruhej nga Çeku, i cili njihej si komandant i UÇK-së.

Ai tha se nuk e di se kush e kishte emëruar Agim Çekun si komandant të UÇK-së dhe as se kujt i raportonte.

Kur u pyet nëse ai i raportonte Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Rubin tha se ajo ka qenë më shumë aspiratë se realitet.

“Nuk ka ekzistuar Qeveria e Përkohshme. Ka qenë më shumë aspiratë se realitet. Thanë që donin ta krijonin një vend të tillë por kishte sulme të vazhdueshme dhe ishin të shpërndarë në të gjithë territorin. S’kishte vend fizik ku ishte Qeveria”, u shpreh Rubin, duke thënë se nuk beson që i ka raportuar Qeverisë së Përkohshme e cila përmendet nga gjyqtari.

Më pas, dëshmitarit iu prezantua një deklaratë e Agim Çekut, ku fliste për Qeveri të Përkohshme, por kjo, sipas Rubin ishte më shumë propagandë që publiku dhe ndërkombëtarët të besonin se ata funksiononin kështu.

Ai tha se ata aspironin per lirinë e tyre dhe donin të paraqiteshin më të strukturar se që ishin.

“Arsyeja se pse Amerika nuk iu dha armë UÇK-së ishte për shkak të mungesës së strukturës dhe kapaciteteve, përkundër asaj që ata paraqiteshin”, tha ai.

Deshmitari tha se me dëshirën e tij do e kishte përfunduar dëshminë sot dhe ishte në gjendje të qëndronte më gjatë, por që trupi gjykues i tha se pyetjet për të nuk kanë përfunduar dhe se do të vazhdojë edhe mbrojtja me pyetje përveç trupit gjykues.

Me kaq përfundoi dëshmia e James Rubin për sot, për të vazhduar nesër me pyetjet e gjyqtarit Fergal Gaynor dhe palëve tjera.

Lexo përditësimet tjera
James Rubin dhe Hashim Thaçi

Dita e dytë e dëshmisë së James Rubinit në rastin Thaçi dhe të tjerët