Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka thënë se e mbështet grevën dyorëshe të mësimdhënësve në shkollën fillore “Pavarësia” në Prishtinë të planifikuar të martën.
SBASHK-u ka thënë se e dënon ashpër sulmin fizik ndaj mësimdhënësit në shkollën “Pavarësia” si dhe rastet e përsëritura të fyerjeve, ofendimeve dhe sulmeve verbale ndaj mësimdhënësve nga nxënësit dhe në disa raste edhe nga prindërit.
SBASHK ka kërkuar hetim të shpejtë dhe të drejtë të rastit në shkollën “Pavarësia”.
Një mësimdhënës i shkollës është ndaluar për 48 orë pas publikimit të një videoje ku shihet duke goditur një nxënës. Por, nga psikologu i shkollës është thënë se paraprakisht mësimdhënësi ishte sulmuar nga dhjetë nxënës.
“SBASHK mbështet grevën dy-orëshe të organizuar nga Sindikata e Shkollës “Pavarësia”, si pjesë e SBASHK-ut, që do të zhvillohet nesër në këtë shkollë, për të kërkuar reagim të menjëhershëm dhe masat e duhura nga institucionet përkatëse. Ne kërkojmë nga organet përkatëse të sigurisë që: Të hetojnë rastin në mënyrë të shpejtë dhe të drejtë; Të dalin të dhënat e vërteta në dritë dhe të merren masat e duhura ndaj nxënësve dhe personave përgjegjës. Po ashtu kërkojmë përgjegjësi institucionale nga menaxhmenti i shkollës dhe Drejtoria e Arsimit, si dhe zbatim të plotë të rregulloreve disiplinore për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen”, thuhet në reagimin e SBASHK-ut.
SBASHK ka thënë se nëse nuk ka reagim të shpejtë dhe masa konkrete, atëherë në nivel komunal në Prishtinë do të shqyrtohet mundësia e ndërprerjes së mësimit edhe në shkollat e tjera.
“Nëse nuk ka reagim të shpejtë dhe masa konkrete ndaj këtij rasti, SBASHK në nivelin komunal në Prishtinë do të shqyrtojë mundësinë e ndërprerjes së mësimit edhe në shkollat tjera, për të mbrojtur mësimdhënësit dhe për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të respektueshëm në arsimin publik. Kjo formë e veprimit sindikal nuk është qëllim në vetvete, por mjet i fundit për të siguruar respektimin e ligjit, dinjitetit profesional dhe sigurisë në shkolla. SBASHK – Për mësimdhënësit, për arsimin, për respektin!” – thuhet në reagim.