Nga 23 mijë nxënës në mbarë Kosovën, aq sa iu nënshtruan testit të arritshmërisë, 36 prej tyre u përjashtuan nga testi për shkak të përdorimit të telefonave dhe qasjes në rrjete sociale gjatë provimit. Vetëm pak minuta pas nisjes, pyetjet e testit u shpërndanë online në disa platforma komunikimi
Të paktën 36 nxënës të klasave të nënta janë përjashtuar nga Testi i Arritshmërisë, i cili u mbajt të premten, për shkak të përdorimit të telefonave dhe qasjes në rrjete sociale gjatë testimit.
Vetëm 10 minuta pasi testi iu shpërnda nxënësve, pyetjet nisën të publikohen në grupe të ndryshme në rrjetet sociale dhe aplikacione të komunikimit. Pamjet e testit u shpërndanë me qëllim që nxënësit të siguronin përgjigje nga jashtë për 100 pyetjet e parashtruara.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoUdhëheqësi i Divizionit për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Elezi, tha se rreth 23 mijë nxënës në mbarë Kosovën iu nënshtruan këtij testimi të premten, në 172 qendra të testimit ndërsa për shkak të shkeljes së rregullave 36 prej tyre janë përjashtuar.
Nxënësit e përjashtuar nuk do të kenë të drejtë të rihyjnë në test.
Elezi sqaroi edhe hapat që do të ndiqen për ta më tej.
“Edhe pa testin e arritshmërisë mund të regjistrohen nëpër shkolla profesionale, nëpër komunat përkatëse. I sistemon komuna ku ka vende të lira, edhe pse janë përjashtuar, nuk e humbin vi,tin regjistrohen nëpër shkolla profesionale ku ka vende të lira, por jo në gjimnaze sepse atje është kriter kalimi prej 40 për qind i Testit të Arritshmërisë”, ka thënë ai.
Në gjimnazin shoqëror “Ahmet Gashi” në Prishtinë, testit iu nënshtruan nxënësit nga tri shkolla të tjera të kryeqytetit. Ushtruesi i detyrës së drejtorit, Haki Dili, tha se në këtë qendër, testimit iu nënshtruan 300 nxënës, ndërsa tre prej tyre u larguan nga provimi për shkak të përdorimit të telefonit.
“Kemi dy qendra, qendra 1 dhe 2. Kemi gjithsej 300 nxënëse nga shkolla ‘Elena Gjika’, ‘Mitrush Kuteli’ dhe ‘Gjergj Fishta’. Përgatitjet janë bërë me kohë nga stafi teknik i shkollës dhe testi ka filluar me kohë. Gjithçka ka shkuar në rregull, me përjashtim me tre nxënës të cilit janë zënë duke e përdorur telefonin dhe administruesit e qendrës së testimit i kanë larguar”, ka thënë Dili.
Pas përfundimit të testit, disa semimaturantë thanë se pyetjet nuk kanë qenë shumë të vështira. Megjithatë, disa prej tyre pohuan se gjatë testimit ka pasur mundësi për kopjim.
“Ka pasur mundësi me kopju, ama unë nuk kam kopju. Pyetjet nuk ishin të vështira përveç në matematikë kenë pak të vështira”, ka thënë një semimaturant.
E një tjetër, e ka mohuar mundësinë e kopjimit.
“Mirë, pak u kanë i vështirë, por e kemi kalu. Shumë mirë ka qenë. Me mësu kemi mësu. Jemi mundu me mësu dhe tash i presim pikët”, ka thënë një semuimaturante. “Nuk kemi pasur mundësi me kopju sepse arsimtarja u kanë pak e vështirë edhe nuk na ka leju”.
Nxënësit e klasave të 9-a, të premten u testuan në nëntë lëndë: Gjuhë shqipe, gjuhë angleze, histori, gjeografi, matematikë, informatikë, fizikë, kimi dhe biologji.
Ky test është vlerësim që nxënësve u bëhet në përfundim të nivelit të arsimit të obligueshëm dhe shërben si bazë për orientimin e mëtejmë në shkollat e mesme.