Arbëri

17 të shoqëruar gjatë festimeve të Vidovdanit, njëri ndalohet për armëmbajtje pa leje

arrest

Foto: Driton Paçarada

(E përditësuar 16:00) - Policia e Kosovës ka njoftuar se manifestimet e Vidovdanit në Gazimestan dhe Graçanicë kanë kaluar pa incidente madhore, përveç disa rasteve të izoluara ku janë shoqëruar persona për veprime provokuese.

Sipas komunikatës, gjithsej 17 persona janë shoqëruar në stacione policore për intervistim, pasi dyshohet se kanë provokuar pjesëmarrësit dhe kanë mbajtur veshje me përmbajtje nxitëse dhe në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Njërit prej tyre i është shqiptuar masa e ndalimit mbi dyshimin e bazuar për veprën penale “armëmbajtje pa leje”, ndërsa një tjetër është ndëshkuar me fletëparaqitje për kundërvajtje. Katër persona janë liruar menjëherë pas intervistimit, ndërsa 11 të tjerë ndodhen ende në procedurë hetimore.

Policia theksoi se të gjitha veprimet janë realizuar në koordinim me organet e drejtësisë dhe se masat për garantimin e sigurisë publike kanë qenë të gjithanshme — nga menaxhimi i trafikut dhe kontrolli kufitar, deri te mbikëqyrja e rendit publik.

Në fund, Policia e Kosovës falënderoi qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin, duke ritheksuar përkushtimin për të garantuar mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë pa dallim.


Vidovdani shënohet pa incidente të mëdha në Gazimestan

(E përditësuar 13:55) - Festimi i Vidovdanit në Gazimestan këtë vit ka kaluar pa ndonjë incident të theksuar.

Të shtunën, ceremonia në Gazimestan u zhvilluan në mënyrë të qetë, përveç disa rasteve ku disa pjesëmarrës serbë u shoqëruan nga Policia e Kosovës, pasi mbanin flamuj apo bluza me përmbajtje provokuese, përfshirë simbole apo figura që konsiderohen nxitëse në kontekstin e sigurisë. Disa prej tye u ndaluan pasi në fund nisën të bëjnë thirrje nacionaliste. 

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë mbledhje së Qeverisë të premten kishte paralajmëruar se Serbia mund të nxiste tensione gjatë kremtimit të Vidovdanit.

Disa prej serbëve u mblodhën edhe në Graçanicë. Por as aty nuk pati ndonjë incident madhor. 

Pelegrinazhi tradicional i Vidovdanit mbahet çdo vit në Gazimestan, për të përkujtuar princin mesjetar serb Car Lazarin dhe ushtarët e tij të rënë në humbjen e Betejës së Kosovës më 1389 kundër Perandorisë Osmane. Përjashtim bëri viti 2023, kur për shkak të tensioneve në veri, ceremonia u zhvendos në Graçanicë.

 


Serbi me bluzë të Arsenijeviqit shoqërohet nga Policia në Gazimestan

(E përditësuar 12:40) - Një qytetar serb është shoqëruar nga Policia e Kosovës të shtunën, gjatë festimeve të Vidovdanit në Gazimestan. Ai mbante veshur një bluzë me fotografinë e kryetarit të partisë “Demokracia Serbe”, Aleksandar Arsenijeviq.

Pas këtij veprimi, vetë Arsenijeviq reagoi përmes një postimi në Facebook, ku pretendoi se personi në fjalë, Stefan Velkoviq, ishte arrestuar.

Ai ironizoi gjithashtu duke shkruar se, sipas tij, në Kosovë e pret një “gjykim i drejtë dhe i paanshëm”, duke shtuar se “nuk ka fund kjo urrejtje”.

Aleksandar Arsenijeviq aktualisht është në kërkim nga Policia e Kosovës, pasi në pronën e tij në fshatin Vallaq të Zveçanit, ditë më parë ishte zbuluar një arsenal armësh.

KOHA ka kontaktuar me Policinë për të mësuar më shumë rreth shoqërimit të Velkoviqit. Posa të ketë përgjigje, artikulli do të përditësohet.


Vidovdani nën masat e sigurisë së Policisë

(E përditësuar 11:35) - Serbët kanë arritur në Gazimestan për të festuar Vidovdanin të shtunën, 28 qershor. Paraprakisht kremtimin e kanë nisur në Graçanicë.

Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar rendin dhe qetësinë në publik.

Në hyrje të Gazimestanit policët po kontrollojnë të gjithë ata që duan të hyjnë.

gazimestan


Serbët nisin kremtimet e Vidovdanit

Grupe serbësh janë drejtuar për në Graçanicë për të nisur festimet e atij që njihet si Vidovdan. 

Qytetarë serbë të Kosovës qysh mëngjesin e së shtunës janë mbledhur në Manastirin e Graçanicës.

Është paralajmëruar se gjatë ditës në Gazimestan do të vijnë edhe grupe serbësh nga rajoni. 

Policia e Kosovës po ashtu është te manastiri dhe po siguron që situata të jetë e qetë. Aty qëndron edhe KFOR-i. 

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka ndërmarrë masat planifikuese dhe operative për menaxhimin e situatës së sigurisë, ruajtjen e rendit publik, orientimin e trafikut rrugor dhe menaxhimin kufitar. PK-ja ka apeluar që pjesëmarrësit të manifestojnë në mënyrë të qetë, të shmangin çdo provokim të mundshëm, të respektojnë ligjet dhe udhëzimet e Policisë së Kosovës, e cila do të jetë prezentë me njësitë e saja për ofrim të sigurisë dhe parandalim të çdo veprimi të kundërligjshëm.

Në fillim të qershorit të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë anuloi vendimin e vitit të kaluar të komunës së Graçanicës për lejimin e shfaqjes së flamurit serb me rastin e Vidovdanit. Gjykata deklaroi se kjo komunë me shumicë serbe kishte tejkaluar autoritetin e saj dhe kishte vepruar në kundërshtim me ligjet e Kosovës, pasi Vidovdani nuk është festë zyrtare.

Kremtimi i kësaj dite ndërlidhet me përvjetorin e Betejës së Kosovës, që historia serbe e njeh si fitore shpirtërore të saj, megjithëse pati pësuar humbje të madhe në atë betejë ku ishte vrarë edhe princi serb Lazar. 

Gazimestani në Kosovë njihet gjithashtu për fjalimin që presidenti i atëhershëm serb, krimineli Slobodan Millosheviq, mbajti atje në vitin 1989. Ky fjalim shpesh citohet si hyrje në konfliktet e armatosura që pasuan shpërbërjen e ish-Jugosllavisë.