Serbia synon të ndërhyjë te votuesit serbë në Kosovë edhe në zgjedhjet e 7 qershorit, duke i ftuar ata që të votojnë Listë Serbe - parti kjo e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar. Drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë ka bërë thirrje për votim të Listës Serbe, duke thënë se vetëm fitorja e saj është “garanci për mbijetesën e serbëve”
Shefi i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka ftuar serbët në Kosovë që në zgjedhjet e 7 qershorit të votojnë Listën Serbe.
Thirrjen për votuesit serbë, ai e ka bërë gjatë një tubimi të një shoqate nga rajoni i Zubin Potokut, që është mbajtur në Kragujevc, teksa zgjedhjet e 7 qershorit i ka quajtur të rëndësishme. Sipas tij, vetëm fitorja e Listës Serbe është “garanci për mbijetesën e serbëve në Kosovë”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Ju të gjithë e dini se po afrohen zgjedhje të tjera të rëndësishme, e kuptoj që njerëzit janë të lodhur sepse kemi shumë procese zgjedhore dhe një krizë të madhe politike dhe paqëndrueshmëri në Prishtinë, por detyra jonë është që të durojmë dhe të luftojmë dhe të jemi të bashkuar, të përbashkuar dhe të vendosur si më parë. Prandaj ky tubim është një mundësi për t'ju ftuar të gjithëve të shkoni në zgjedhje më 7 qershor dhe të votoni për Listën Serbe, sepse fitorja e Listës Serbe në këto zgjedhje është një garanci për mbijetesën e serbëve në Kosovë, garanca se ne do të vazhdojmë të ndërtojmë komunitetet tona dhe të investojmë në to”, ka thënë ai.
Petkoviq ka theksuar se vetëm Lista Serbe ka mbështetjen e Qeverisë së Serbisë dhe të presidentit Aleksandar Vuçiq.
Kjo nuk është hera e parë që Beogradi zyrtar ndërhyn në zgjedhjet e Kosovës. Këtë e ka bërë edhe në zgjedhjet e kaluara.
Përzierja e strukturave shtetërore të Serbisë në zgjedhjet e Kosovës është konstatuar edhe në raportin e BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve për vitin 2025.
Në raport përmendet çështja që i bën më të cenueshëm votuesit serbë - marrja e pagesave nga skemat sociale e të punësimit nga Serbia.
“Sidoqoftë, LS-ja mbeti dominante brenda komunitetit serb të Kosovës, duke marrë mbështetje nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, dhe duke u mbështetur në mediat serbe dhe mediat e vogla serbe të Kosovës për fushatën e saj. Përveç kësaj, u raportua presion mbi votuesit, të varur nga ndihma sociale dhe punësimi serb. Në përgjithësi, komunat me shumicë serbe të Kosovës panë një fushatë relativisht të ndrydhur krahasuar me komunat e tjera”, thuhet në raportin e BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve të dhjetorit 2025.
Në zgjedhjet e 7 qershorit do të garojnë në total katër subjekte politike serbe.
Pos Listës Serbe, do të garojnë edhe Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Aleanca e Kosovës dhe iniciativa qytetare Bashkë Fitojmë, ku janë përfshirë subjektet politike si SNP, SZS e DS.
Në dy palët zgjedhjet e fundit, Lista Serbe nuk ka arritur të fitojë të 10 ulëset në Kuvend të rezervuara për komunitetin serb.